Gjyq në Gërdec për provën që shkaktoi tragjedinë
Verifikimi
Gjykata administron si provë materiale saldatriçen që u gjet në shtëpinë e të ndjerit Qemal Deliu
Vazhdojnë polemikat për arsyen që shkaktoi shpërthimin në fabrikën e demontimit në Gërdec. Prokuroria pretendon se ishte saldatricja e gjetur para disa kohësh në gërmadhat e fabrikës ajo që shkaktoi shkëndijat e para të zjarrit. Në qoftë se kjo vërtetohet, atëherë prokuroria mund të vërtetojë që shpërthimi është shkaktuar nga një pakujdesi njerëzore. Ndërkaq që pala mbrojtëse e kundërshton me forcë këtë pretendim. Duke parë këtë konflikt, gjykata urdhëroi që të verifikohet dhe një herë prova e gjetur. Dje, katër oficerë të policisë gjyqësore, dy avokatë dhe një ekspert i caktuar nga gjykata, kanë qenë në Gërdec për të verifikuar vendin e ngjarjes. Ata kanë kryer fotografimin e vendit ku është gjetur saldatriçja. Gjithashtu janë bërë matje dhe ekzaminime për të arritur në konkluzione të sakta. Saldatriçja, sipas të gjithë dëshmitarëve, i përkiste Qemal Deliut, i cili ishte punëtor në fabrikë dhe njëkohësisht saldonte karrocat që prisheshin gjatë punës. Sipas akt-ekspertimit paraprak të Prokurorisë së Përgjithshme, shpërthimi në Gërdec ndodhi për shkak se karroca që transportonte barutin, u dëmtua dhe u dërgua të saldohej në banesën e Qemal Deliut, e cila ndodhej pranë fabrikës së demontimit të municioneve. Karroca, sipas prokurorisë, menjëherë pas saldimit, është përdorur për të transportuar barut, duke bërë që të fillojnë shkëndijat e para të zjarrit, që më vonë solli gjithë atë katastrofë njerëzore. Mbetjet metalike të karrocës dhe saldatoriçja janë gjetur nga forcat e ushtrisë gjatë pastrimit të zonës më datë 8 janar 2010. çështja e saldatriçes së Gërdecit duket se do të jetë një element shumë i rëndësishëm në vërtetimin ose hedhjen poshtë të akuzave të prokurorisë në lidhje me ngjarjen, e cila shkaktoi 26 të vdekur dhe 300 plagosur e cila ende nuk ka marrë një drejtim. Nën akuzë për këtë çështje janë rreth 29 të pandehur, midis tyre ish-ushtarakë, punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes dhe administratorët e fabrikës. Ndërkohë në Gjykatën e Lartë në një proces të veçuar është dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet për plagosje. Provat dhe faktet që janë zbuluar dje pritet t’i paraqiten gjykatës në seancën e radhës, e cila është të premten, më datë 12 shkurt, ndërkohë që seanca e ditës së djeshme nuk është zhvilluar për shkak të verifikimit të kësaj prove.
#