Kreu i Dhomës së Avokatisë: Shtyrja e gjyqeve? Mungesë ligji
Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, pranoi disa gabime të avokatëve në lidhje me zvarritjet e gjyqeve, ndërsa saktësoi se ky problem duhet të rregullohet me ligj. “Unë mendoj se nga ana e gjyqtarëve po abuzohet me thënien ‘drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar’. Kjo thënie nuk ka lidhje fare me mohimin e drejtësisë” tha kryeavokati. Më tej shtoi se është dakord që më mirë të zgjatet një proces gjyqësor, se sa të mbyllet në një afat të përcaktuar me ligj dhe në fund të mos kemi rezultatin e pritur. “Në shumë vende të Europës proceset gjyqësore zgjaten deri në shtatë vjet, ndërkohë që në vendin tonë afati ligjor është dy vjet”, tha ai, duke kërkuar rritjen e taksave që kanë lidhje me paditë e regjistruara në gjykatë. Sipas tij, të gjithë njerëzit që kërkojnë të regjistrojnë padi civile ose penale në gjykatë, në radhë të parë duhet të paguajnë duke investuar në fillim me taksat dhe më pas të presin vendimin e gjykatës.
#