E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr me thika në shkollë, plagoset rëndë i mituri



TIRANE- Dje ishte dita e tretë e nisjes së viti të ri shkollor, dhe një grindje me thika mes dy të miturish ka shkaktuar një të plagosur dhe panik në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë.
Sherri
Ngjarja që për pak i ka marre jetën një te mituri ka ndodhur rreth orës 11:00 në shkollën “Bajram Curri” në Tiranë, kur dy nxënës të së njëjtës klasë janë grindur me njëri- tjetrin për motive të dobëta. Më pas 14-vjeçari R. E., ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete dhe ka qëlluar shokun e vet E. P. Nxënës dhe mësues janë terrorizuar nga veprimi që shkaktoi minuta të tëra panik dhe ndërprerje të mësimit në shkollë. I plagosuri është dërguar në Spitalin Ushtarak për mjekim. Drejtoresha e Shkollës “Bajram Curri”, Marie Korriku beri të ditur se nxënësi ndodhet në kujdesin e mjekeve dhe jashtë rrezikut për jetën. Policia në vendngjarje ka arrestuar autorin 14-vjeçar, i cili ishte në gjendje të rëndë psikologjike, pas krimit të kryer. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Policia po heton sesi ka mundësi që një fëmijë ne ambientet brenda shkollës te mbaje armë të ftohta duke rrezikuar kështu jetën e fëmijëve dhe mësuesve.
Masat
Sherri mes dy nxënësve që ndodhi dje në një klasë në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri” në Tiranë ku për pak i rrezikoi jetën një 14-vjeçari, ka detyruar policinë e kryeqytetit të hartojë një plan masash për të siguruar jetën e nxënësve në shkolla. Incidenti që për pak rrezikoi të kthehej në tragjedi, ditën e tretë të fillimit të shkollës, ka ngritur në “këmbë” policinë e Tiranës, ndërsa ka alarmuar prindërit e nxënësve të cilët janë shprehur të pasigurt për jetën e fëmijëve të tyre gjatë orëve të mësimit. Ndërkohë që vetëm pak orë pas ngjarjes së rëndë në shkollën “Bajram Curri” në Tiranë ku mbeti i plagosur një nxënës pasi u qëllua me thikë nga shoku i tij i klasës, policia publikoi dhe masat që do të marrë. “Prania e sendeve si thika apo mjete mprehëse që mund të mbajnë nxënësit e shkollave, mbetet një shqetësim për Policinë e Tiranës si dhe Drejtorisë Arsimore Tiranë, të cilët në bashkëpunim do të punojnë për të hartuar plane masash, me synim për të eliminuar këto ngjarje brenda ambienteve arsimore. Po ashtu, për mbarëvajtjen e këtij procesi mësimor, Policia e Tiranës do të angazhojë pranë objekteve shkollore, punonjës policie të cilët do të marrin masa në drejtim të mbajtjes së kontakteve me drejtuesit e shkollave dhe shërbimin e sigurisë së shkollave që kanë në territorin e tyre. Bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, me qëllim mos mbajtjen e nxënësve të sendeve të palejueshme në ambientet shkollore”, - bëri të ditur policia e kryeqytetit. Policia e Tiranës, nuk do të lejojnë hyrjen e personave të tjerë, në ambientet e shkollave, të cilët prishin rendin e qetësinë publike, do të mbajnë kontakte të vazhdueshme me personelin mësimdhënës, në drejtim të evidentimit të nxënësve problematikë, do të bashkëpunojnë me rojet private të shkollave. Gjithashtu nuk do të lejohet parkimi i automjeteve apo shitësve ambulantë pranë objekteve shkollore, me qëllim parandalimin e aksidenteve apo shkeljeve të tjera të ligjit.
Policia do të identifikojnë dhe kontrollojnë elementët me precedent policor, që cenojnë rendin e qetësinë publike apo kanë tendenca për kryerjen e veprave penale. Do të shkëmbejnë eksperienca dhe japin mesazhe në drejtim të Policimit në Komunitet, luftës kundër drogës, alkoolit, trafikimeve të ndryshme etj.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›