E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr me zyrtarin e FSHF, përjashtohet Ndreu

TIRANË- Me një vendim të rrallë, Federata Shqiptare e Futbollit ka përjashtuar sot përjetësisht nga futbolli trajnerin e Kastriotit Ramadan Ndreu. Sipas asaj që thuhet në Komisionin e Disiplinës, Ndreu ka ushtruar dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe ka fyer zyrtarët e FSHF-së, ndërkohë që është përsëritës në sjellje të tilla. 

Gjithçka ka ndodhur në takimin e Kupës mes Kastriotit e Skënderbeut, të zhvilluar të mërkurën në Krujë dhe që përfundoi në barazim pa gola. Aty, Ndreu ka patur një përplasje me gjyqtarët dhe me delegatin e Federatës Besnik Çela, ndërkohë që debati ka vijuar edhe ditën e sotme në ambientet e FSHF-së, ku mësohet se zyrtari i FSHF-së është kërcënuar. Kjo çoi në vendimin ekstrem të Komisionit të Disiplinës, që përjashtoi përjetësisht trajnerin krutan. 

Ndërkohë, për shkak të akteve të dhunës ndaj zyrtarëve të ndeshjes, që çoi në ndërprerjen e ndeshjes, klubi i Skraparit e ka humbur 3-0 në tavolinë ndeshjen me Adën, ndërsa i janë hequr 3 pikë në renditje dhe është dënuar të luajë 8 ndeshje jashtë fushe.
(el.me/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›