E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kumbaro dërgon në gjykatë dy avokatë

Remzi Hoxha
Shtyhet procesi ndaj të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit kosovar


TIRANË- Ish-drejtuesi i SHIK-ut në kryeqytet, shtetasi Ilir Kumbaro, një nga të akuzuarit për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha, bëhet i "gjallë" vetëm pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Londrës për ekstradimin e tij nga Anglia në Shqipëri.

Djali i tij, Ervin Kumbaro, ka udhëtuar nga Anglia për në Shqipëri për të autorizuar në emër të babait të tij, dy avokatë mbrojtës Vojo Bregun dhe Bledar Fejzon për t'i mbrojtur interesat e tij në procesin gjyqësor që zhvillohet pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Prezantimi i këtyre dy avokatëve, bëri që gjykata të vendosë të revokojë vendimin e caktimit të avokatit kryesisht Remzi Ponari, duke e liruar atë nga përgjegjësia e mbrojtjes ligjore. Në vazhdim të seancës gjyqësore, kur pritej të pyeteshin tre dëshmitarët e ardhur nga Lezha, avokatët kërkuan kohë për njohjen me dosjen dhe procesin gjyqësore.

Kjo kërkesë u plotësua nga gjykata, e cila vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore për të vazhduar më datë 28 prill ora 9:00. Me kërkesë të prokurorisë, erdhën për të dëshmuar gjatë ditës së djeshme, tre rojet e godinës së SHIK-ut në Vainë të Lezhës, ku agjentët e SHIK-ut, akuzohen se kanë torturuar, Ziso Kristopullin, Armand Loshajn dhe Remzi Hoxhën.

Trupi i këtij të fundit ende nuk dihet ku ndodhet. I pandehuri Kumbaro ka qenë në detyrën e Kryetarit të Degës së Parë në drejtorinë e SHIK-ut në kryeqytet dhe mendohet se ka qenë personi i fundit që ka marrë në pyetje Remzi Hoxhën dhe që nga ai moment kosovari nuk është parë më në qendrën e SHIK-ut në Vainë të Lezhës.

Sipas akuzës, të pandehurit Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, kanë kryer veprën penale të "Rrëmbimit të personit" në tri raste të kryera në bashkëpunim dhe "Tortura me pasoja të rënda" në tri raste, të kryera në bashkëpunim.

Rrëmbimet dhe torturimet e këtyre personave, në muajt shtator-tetor 1995, ku janë rrëmbyer dhe torturuar shtetasit Ziso Kristopuli, Arman Loshajn dhe Remzi Hoxhën.


Përdhunon shoqen e motrës, arrestohet

TIRANE- Një 15-vjeçar akuzohet nga policia se ka përdhunuar fqinjën e tij 14-vjeçe dhe shoqe të motrës së tij. Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë në Bathore, kur 14-vjeçarja A.P, dyshohet se është përdhunuar nga fqinji i saj L.N, 15-vjeç.

E mitura u ka rrëfyer prindërve të saj gjithçka ndodhi në banesën e fqinjit të saj. Bashkë me prindërit vajza është drejtuar në komisariatin e policisë nr.5, ku dhe ka denoncuar 15-vjeçarin.

Burime nga policia thanë se sipas mjekësisë-ligjore, rezulton që e mitura është përdhunuar. Kështu ndaj djalit është ngritur akuza e "kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur".

Tre ditë më parë, e mitura A.P, ka shkuar për vizitë te fqinji i saj. Mësohet se 15-vjeçari ndodhej vetëm në shtëpi, gjë të cilën duket se e ka shfrytëzuar për të kryer marrëdhënie seksuale me fqinjën.

Sipas dëshmisë së vajzës dhënë në polici, djali i është afruar asaj dhe ka tentuar ta zhveshë. Kundërshtimit të 14-vjeçares, i mituri i është përgjigjur me dhunë, madje ka marrë edhe një thikë duke e kërcënuar ndërsa e ka qëlluar lehtë. Në banesën e saj vajza ka shkuar duke qarë me rroba të grisura dhe shenja të dukshme në trup.

Fill pas kësaj prindërit kanë marrë të miturën dhe kanë shkuar në polici ku denoncuan 15-vjeçarin. Ky i fundit u shoqërua dhe u mor në pyetje nga oficerët e policisë të cilët më pas i komunikuan akuzën e "kryerjes së marrëdhënieve seksuale më dhunë me të mitur".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›