Në Ballkan, atje ku zemrat janë fituar
Ndërsa sharmi dhe “ndryshimi” i presidentit Obama po rrisin pushtetin e butë amerikan në Evropë - ja një kënd i vogël i kontinentit ku entuziazmi për SHBA nuk ikën kurrë.
Arteria kryesore e Prishtinës quhet shëtitorja “Bill Klinton”. Pasi NATO i dha fund pastrimit etnik në vitin 1999, shqiptarët filluan t’i quajnë fëmijët e tyre “Madeline Albright Ismaili” apo “Al Gore Ajeti”. Muaji i mjaltit vazhdon: Një “statujë lirie” qëndron mbi çatinë e një hoteli të qytetit. Flamujt amerikanë valëviten lirshëm në makina, në hyrje të dyqaneve, dhe në shtëpi të vetmuara nëpër fshatra.
Në Kosovë, stili amerikan, filmat dhe simbolet janë të rrënjosura në zemra dhe mendje.
Është pak naive e ndoshta pak e sikletshme për elitat, por ja ku është.
Amerika gjigante, që ndihmoi të përfundojë tmerri në Kosovë, vazhdon të jetë e adhuruar. Në Prishtinë është shumë e vështirë të gjesh vendas që nuk flasin anglisht, madje dhe të moshuarit e provojnë.
Studentët aplikojnë së pari në kolegje amerikane. Ndiz televizorin, të shfaqet Hollywood-i. Adoleshentët udhëtojnë drejt Shkupit në Maqedoni për të shkuar tek i vetmi McDonald vërdallë.
Amerika imagjinohet si një e mirë pafund, me mundësi zgjedhjeje, ekstravagancë dhe premtime.
“Kosovarët jetojnë në Zvicër ose në Gjermani”, - thotë Agron Bajrami, redaktor pranë së përditshmes “Koha Ditore”. “Por ata e modelojnë jetën e tyre sipas mënyrës që mendojnë se është amerikane”.
Kjo dashuri nuk është e re. Shqiptarët prej kohësh kanë familje në Bronks dhe marrin pako ndihme nga Klivlendi. Ata argumentojnë se Woodrow Wilson i mbrojti shqiptarët në Paris gjatë Konferencës së Paqes në vitin 1919. George H. W. Bush është i njohur për “Mesazhin e Krishtlindjeve” ndaj Beogradit në vitin 1992 - kur iu thoshte serbëve që të mos sulmonin. Në vitet ’80, kosovarët e qyteteve shihnin “Twin Peaks” (serial televiziv amerikan sh. t.), dhe dëgjonin grunge rock të Siatëllit.
“Përpara luftës, në xhinset e mia kisha të stampuar një flamur amerikan dhe shkova në Zagreb për një koncert të Deep Purple”, - thotë zoti Bajrami. “Ne gjithmonë e kemi ndjerë përkujdesjen e Amerikës”.