Berisha ironizon Ramën për sloganin e fushatës zgjedhore
Kryeministri Berisha ka zhvilluar dje një vizitë në qytetin e Beratit, ku ka përuruar një sërë investimesh publike në infrastrukturë. Gjatë fjalës së mbajtur në takimin me qytetarë të Beratit, kryeministri Berisha ka ironizuar kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për sloganin e fushatës zgjedhore. Kryeministri vlerësoi se në Shqipëri qarkullojnë dy ndryshime: njëri është ndryshimi me rrugë, ujësjellës, ura dhe shkolla të reja, ndërsa tjetri është thjesht ndryshim me shpifje, trillime dhe mashtrime. “Aq sa mund t’i rezistojë bryma diellit, aq mund t’i rezistojë ndryshimit të vërtetë, ‘ndryshimi i mashtrimit’ dhe këtë e zgjodhi vetë, pra e bëri vetë zgjedhjen fatale. Do të ketë fatin e brymës para rrezeve të diellit”, - tha Berisha duke nënkuptuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Në vijim të vizitës në rrethin e Beratit, kryeministri Berisha inauguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës hyrëse të këtij qyteti, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 600 milionë lekë. Kryeministri Berisha tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë për qytetin e Beratit. “Më parë ne i premtuam një hyrje moderne këtij qyteti, që u bë një pasuri botërore për vlerat e mëdha që mbart. Unë do të quaja këtë një premtim të përmbushur të qeverisë time për këtë qytet të mrekullueshëm. Berati tani do të ketë një hyrje europiane dhe do të presë vizitorë e turistë dhe këdo që vjen në këtë qytet do të hyjë në të nëpërmjet një hyrje të re të gjerë të mirësistemuar, të cilën Berati e meriton plotësisht”, - u shpreh kryeministri Berisha.
16 Shkurt 2009