Sherr në lokal e konflikt për pronën, dy plagosje në Tiranë
TIRANE - Dy plagosje ndodhën mbrëmjen e së shtunës, në dy lagje periferike të Tiranës. Viktima të sulmit me pistoletë dhe me thikë, janë një 30-vjeçar, që dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur dhe një 57-vjeçar, i cili u sulmua për një konflikt pronësie. Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit mësohet se njëri nga autorët është arrestuar, ndërsa tjetri është identifikuar, por është shpallur në kërkim, pasi menjëherë pas ngjarjes është larguar nga vendi i krimit. Komisariati Nr.1, është lajmëruar për një konflikt që po ndodhte në ambientet e një lokali në afërsi të shkollës "Kushtrimi i Lirisë", në lagjen "Ali Demi" në Tiranë. Pronari i lokalit ka lajmëruar policinë, duke pohuar se disa persona po konfliktohen me një të dehur dhe njëri prej tyre ishte i armatosur me pistoletë. Megjithëse policia është lajmëruar para se të ndodhte plagosja, forcat e rendit nuk kanë mundur ta shmangin atë. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, Ervin Duka, 30 vjeç, siç dyshohet në gjendje të dehur ka nisur një debat të ashpër me një person që ndodhej në të njëjtin lokal, të cilit i ka thënë që nuk do e linte të ikte pa i paguar pijet e konsumuara. Ndërkohë, pas presionit nga i dehuri, klienti ka lajmëruar dy djemtë e tij, të cilët kanë shkuar në lokal, ndërsa njëri prej tyre ishte i armatosur. Me ardhjen e tyre debati është bërë edhe më i ashpër dhe njëri nga djemtë e klientit, Endi Muçollari ka qëlluar me pistoletë Ervin Dukën. Menjëherë pas ngjarjes ai është larguar nga lokali dhe policia nuk ka mundur ta ndalojë duke e shpallur në kërkim. Duka është dërguar në Spitalin Ushtarak, pasi kishte një plagë në këmbë dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Oficerët e Komisariatit Nr.1 dhe specialistët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe për gjetjen dhe arrestimin e autorit. Ndërkohë vetëm disa minuta pas plagosjes së parë, rreth orës 22:00, një tjetër plagosje ka ndodhur në një tjetër lagje periferike. Komisariati Nr.3 është njoftuar se tek ish-uzina Dinamo, ka pasur një konflikt pronësie dhe një person kishte mbetur i plagosur me thikë. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes është konstatuar se Flamur Çeta, 53 vjeç pas një konflikti pronësie me fqinjin e tij Hekuran Shkëmbi, 47 vjeç, e ka plagosur me thikë. Çeta është dorëzuar në polici, ndërkohë që i plagosuri Hekuran Shkëmbi, ndodhet në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën.