Dëshmi nga Tirana për vrasjen në Itali
Fatos Mahmutaj
Hetuesit italianë marrin prova në Tiranë për hetimin e vrasjes së një shqiptari pranë qytetit të Monzës dy vjet më parë. Letërporosia është shqyrtuar nga gjykatësja kryeqytetase Shefkie Demiraj, e cila ka pyetur në një seancë gjyqësore 26-vjeçarin nga Elbasani, Oltion Binjaku në bazë të pyetjeve që kanë dërguar në Shqipëri autoritetet italiane. Ndërsa në fund të procesit, gjykata, pasi ka lejuar ekzekutimin e letërporosisë, ka në pyetje dëshmitarin Oltion Binjaku dhe duke mbajtur procesverbalin përkatës të seancës, ka vendosur që një kopje vendimi së bashku me këtë procesverbal t'ia dërgojë Prokurorisë së Republikës, në Monza të Italisë. Më poshtë botohet rrëfimi i dëshmitarit Binjaku, për ngjarjen, sipas procesverbalit të Gjykatës së Tiranës.
Rrëfimi
Dëshmitari Oltion Binjaku është takuar një natë më parë se të ndodhte krimi rreth orës 19:00-20:00 me viktimën Genc Daiu nga Kavaja, pasi e kishte njohur para një viti në Itali. Natën e takimit, e cila ishte fundjavë, ditë e shtunë, ata të dy kanë qëndruar gjithë natën bashkë, duke pirë nëpër lokale të ndryshme për qejf. Dëshmitari sqaroi se nuk kishin lënë takim me asnjë njeri. Rreth orës 23:30 minuta ata kanë vajtur në një piceri të qytetit të Monzës për të ngrënë pica, duke i shoqëruar ato me birra dhe kanë qëndruar deri vonë pas mesnate rreth orës 02:00 - 03:00 të natës të datës 29 korrik 2007. Me të dalë nga lokali ata kanë lëvizur me makinën e viktimës Genci Daiu të tipit "Citroen" ngjyrë gri, të drejtuar nga Genc Daiu. Pasi kanë bërë xhiro nëpër Monzë janë kthyer përsëri atje ku u nisën, pasi të dy ishin beqarë, emigrantë dhe pa familje. Më pas rreth orës 04:00 të mëngjesit të ditës së ngjarjes pra 29 korrik, Genc Daiu i ka thënë Binjakut të shkonin në Milano për të pirë, por ky i fundit e refuzon pasi ata ishin të pirë tashmë, krejtësisht të dehur, por këmbëngulja e viktimës Genc Daiu ishte e madhe duke e bindur Binjakun se në Milano nuk do vonoheshin shumë. Me të mbërritur në Milano kanë hyrë në një lokal dhe kanë takuar dy persona, të cilët i njihte vetëm Daiu. Binjaku së bashku me Daiun dhe shokët e tij kanë qëndruar rreth një orë ose një orë e gjysmë në lokal duke pirë, por dëshmitari me gjithë këmbënguljen e gjykatës sqaroi se nuk mban mend asnjë emër që të jetë përmendur nga viktima. Rreth orës 05:30-06:00 të mëngjesit viktima Daiu dhe dëshmitari Binjaku pasi janë përshëndetur me shokët e Genc Daiut kanë vazhduar rrugën për te shtëpia e viktimës, të cilën e kishte në periferi të Monzës. Kanë shkuar te shtëpia e Daiut, ku ky i fundit ndërroi makinën, që ishte tip "Benz" cabriolet dhe hyri në shtëpi thjesht për të marrë çelësat e makinës tjetër, pra qëndroi shumë pak në shtëpi, ndërsa Binjaku e ka pritur jashtë. Gjatë rrugës së kthimit për në shtëpinë e Binjakut, Daiu ka biseduar në telefon por nuk dihet se me kë dhe viktima i tha dëshmitarit që të shkojë në shtëpi të tij, duke mos i treguar atij problemin që po e shqetësonte. Binjaku nuk kishte pranuar të shkonte në shtëpi duke insistuar për të ditur çfarë e shqetësonte Daiun dhe nuk kishte zbritur as nga makina. Por viktima i kishte thënë se nuk kishte asgjë për t'u shqetësuar. Pasi udhëtuan rreth 5 ose 10 minuta, viktima Genci Daiu, i cili drejtonte automjetin dhe shtetasi Oltion Binjaku në vendin parë të pasagjerit, kanë dëgjuar disa krisma arme, të cilat nuk e dinin se nga vinin. Në këtë moment dëshmitari Binjaku ka ulur kokën dhe makina është përplasur në anën tjetër të rrugës duke kaluar trotuarin, pasi rruga nuk ishte autostradë por taxhenciale.
Dëshmitari Oltion Binjaku duke qenë i terrorizuar ka dalë menjëherë nga makina dhe ka vrapuar drejt një are që ishte buzë rrugës, duke rënë pa ndjenja rreth 2 ose 3 orë dhe pasi është ngritur ka vënë re se ishte plagosur në krahun e djathtë dhe kishte dëmtime në fytyrë. Binjaku shpjegon para gjykatës se nuk ka parë asnjë person apo mjet që ka goditur për vdekje viktimën Daiu dhe nuk dinte që ky i fundit të jetë marrë me veprimtari të paligjshme e të kishte konflikt me njeri. Dëshmitari Binjaku pasi është ngritur ka dalë në rrugë për të pritur ndonjë makinë të rastësishme për të shkuar në Monza. Ka vajtur në shtëpi është ndërruar dhe ka kaluar natën jashtë sepse kishte frikë nga ajo që kishte ndodhur. Të nesërmen Binjaku është larguar për në Greqi, pasi e shikonte veten të kërcënuar edhe pse nuk e kishte të qartë arsyen e kësaj ngjarjeje dhe të autorëve të saj.
Vrasja e Genci Daiut në Itali
Ekzekutimi i 25-vjeçarit nga Kavaja Genci Daiu, është bërë mëngjesin e 29 korrikut 2007 në një autostradë në periferi të qytetit të Monzas, Itali. Mediat italiane publikuan atëherë se vrasja e 25-vjeçarit Daiu ishte pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale shqiptare që vepronin në veri të Italisë. Sipas tyre, ai është qëlluar ndërsa po ecte me shpejtësi me njërën nga makinat e tij, e cila ka kaluar në anën tjetër të autostradës dhe është përplasur si pasojë e humbjes së kontrollit nga drejtuesi.