Sherr për femra, në lokal arrestohet i riu me pistoletë
Policia gjeti në veturën e të ndaluarit një armë zjarri pistoletë "Zastava" dhe një thikë
TIRANË- Grindet në lokal për femra, policia e arreston për armëmbajtje pa leje ndërsa i gjen një armë zjarri pistoletë në bagazhin e autoveturës.
Elton Haka, 19 vjeç, me banim në fshatin të komunës së Paskuqanit, në Tiranë është arrestuar nga policia e komisariatit nr,1 në kryeqytet me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, ndërsa dyshohet se ka kanosur me armë një të ri në një lokal në rrugën "Ali Demi", Mbrëmjen e të dielës.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, policia ka bllokuar një pistoletë "Zastava", një krehër me dy fishekë si dhe një thikë që sipas policisë plotësonte kushtet e armës së ftohtë. Për këto arsye, policia ka arrestuar Hakën duke i komunikuar atij akuzat e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake si dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.
Arrestimi i Hakës është bërë i ditur nga burime të policisë së Tiranës të cilët pohuan se ata ishin lajmëruar nga klientët e një lokali pranë kryqëzimit të rrugës "Ali Demi", me unazën pranë vendit të njohur me emrin Ulliri.
Sipas telefonuesit që kishte lajmëruar në sallën operative të drejtorisë së Policisë së Tiranës, dy persona po grindeshin në një lokal mes tyre. Sipas burimeve të poilisë, dy personat po grindeshin dhe konfrontoheshin fizikisht mes tyre, ndërsa shkak për këtë situatë ishte bërë femra e një prej personave që pretendohej se ishte provokuar.
Sapo patrulla e përgjithshme e komisariatit të policisë nr.1, ka mbërritur në vendin e ngjarjes, janë veçuar dy personat për të kryer ballafaqimin e tyre. Nga ky verifikim janë ngritur dyshime se dy personat mund të vazhdonin të konfrontoheshin edhe më tej dhe për këtë shkak është kërkuar që të shoqërohen të dy palët në komisariat.
Gjatë përpjekjeve të tyre për të shoqëruar të arrestuarin ai nuk ka pranuar fillimisht çka ka bërë që hetuesit të dyshojnë tek ky fakt. Menjëherë ata kanë vendosur të kontrollojnë autoveturën e tij, në bagazhin e së cilës është gjetur edhe arma e zjarrit bashkë me dy fishekë në një krëhër.
Po aty pranë hetuesit kanë gjetur edhe thikën që sipas tyre plotësonte kushtet e armës së ftohtë. Menjëherë Hakës, i janë vënë prangat duke i komunikuar edhe arrestin në flagrancë. Sendet e gjetura janë administruar nga policia në cilësinë e provës materiale.