E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, grupet e interesit kundërshtojnë shtrenjtimin

Konfindustria: Rritja e energjisë do të shtojë rastet e falimentimit të bizneseve. PS: Berisha e kishte planifikuar më parë


TIRANË- Përfaqësues të biznesit por edhe Parti Politike kanë kundërshtuar vendimin e djeshëm të ERE-s për shtrenjtimin e energjisë me 13 për qind gjatë vitit 2010. Zyra e Konfindustris e konsideron të pa arsyetuar një rritje të tillë duke marrë parasysh që në të gjithë botën çmimet e energjisë kanë pësuar ulje.


Po ashtu një shtrenjtim i energjisë sipas saj rrezikon të çojë në faliment një serë biznesesh në vend. "Pasoja e parë e ndjeshme e rritjes së çmimit të energjisë do të jete ndikimi i drejtpërdrejtë në uljen e konkurueshmërisë së prodhimeve dhe shërbimeve shqiptare në krahasim me vendet e rajonit dhe më tej.


Kjo, sepse energjia elektrike është njësi bazë e krijimit të kostos së të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve, që varësisht industrive të vendit ndryshon nga 5-25% të kostos së përgjithshme", -thekson kreu i saj Gjergj Buxhuku. Më tej ai shpjegon se një rritje e tillë në një moment kur ka nevojë të dukshme për likuiditete nga bizneset por edhe kur ka një ulje të aftësisë blerëse te konsumatorit do të sillte pashmangshmërisht rritjen e falimentimeve për industritë vendore.


Menjëherë pas publikimit të vendimit nga ERE ka reaguar edhe Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit e cila e ka cilësuar jashtë logjikës një rritje të energjisë në këtë periudhë.
Në një konferencë për shtyp, deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, ka akuzuar qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha se kishte "hipotekuar" rritjen e çmimit të energjisë para privatizimit të OSSH-së


"Ndryshe nga sa pretendon qeveria, vendimi për rritjen e çmimit të energjisë është marrë kohë më parë se të përfundonte procesi i privatizimit të OSSH. Madje ky vendim gjëndet edhe në anekset e kontratës mes palës shqiptare dhe CEZ.


Në këtë kontratë Sali Berisha ka vendosur se çmimi i energjise do të rritet me dy shifra çdo vit deri në vitin 2014", - tha Beqja. Tarifat e reja të energjisë të miratuara sot nga ERE pritet të hyjnë në fuqi duke filluar nga data një e muajit të ardhshëm.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›