E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr për mandatet, në Elbasan e Dibër burrat kundër grave

TIRANE- Përzgjedhja e 11 deputetëve në postet ministrore ka shkaktuar amulli tek pjesa e kandidatëve për deputetë që do t’i zëvendësojnë ata. Në fakt problemi nuk është në të gjitha qarqet nga u larguan këta deputetë që u bënë ministra, por në dy prej tyre, problemi është më i dukshëm, dhe pikërisht në qarkun e Elbasanit dhe atë të Dibrës.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, nenit 164, “Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës të së njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë, i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë, duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini”. Sipas po këtij neni, “ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”. E më pas, në nenin 175 thuhet se: “Kur ndaj një subjekti zgjedhor është konstatuar shkelja, KQZ-ja zbaton si sanksion plotësues zëvendësimin e çdo vakance në listën e subjektit, në zonën ku është konstatuar shkelja, me kandidatët vijues në listë nga gjinia më pak e përfaqësuar deri në plotësimin e kuotës gjinore”. Për ta sqaruar më konkretisht, si shembull po marrim pikërisht qarkun e Elbasanit. 

Pas emërimit të Damian Gjiknurit si ministër, kandidati i radhës, Arben Kamani duhej të merrte mandatin e deputetit, por, në bazë të nenit 175 të Kodit, PS detyrohet të dërgojë në Kuvend Luljeta Arapin. Arapi e fiton këtë mandat deputeti, pasi PS në këtë qark nuk ka plotësuar kuotën 30% të përfaqësimit të grave, ndaj edhe është gjobitur nga KQZ-ja. Ndaj, nëse ajo e korrigjon këtë me zëvendësimin e Gjiknurit me Luljeta Arapin, shpëton gjobën. 

I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, kandidati Arben Kamani tha se nuk beson se do të jetë ai deputet, “sepse e di që duhet të hyjë një grua”. I pyetur se përse mendon kështu, ai shprehet se: “Nuk e di, po është një nen në Kodin Zgjedhor që përcakton se i takon një gruaje. Unë e dija që më takonte, por mora vesh që nuk më takonte”. I pyetur nëse ka kontaktuar me drejtues të PS-së, Kamani tha se: “Kam folur me përfaqësuesin e PS në KQZ dhe ai më dha këtë sqarim, që, ka një nen në Kodin Zgjedhor që duhet të hyjë grua”. 

QARKU I DIBRËS 
Problemi paraqitet edhe në qarkun e Dibrës. Pas përzgjedhjes së Shkëlqim Canit si ministër i Financave, në bazë edhe të vendimit të kreut të PS-së, Edi Rama, ai duhet të lërë mandatin e deputetit. I treti në radhë për ta marrë këtë mandat është Hasan Ceni. Por, pikërisht ky nen i Kodit Zgjedhor ia heq atij këtë të drejtë, duke ia kaluar të gjashtës në listë, dhe të vetmes femër në listën e PS-së për këtë qark, Ezmerina Hoxha. 

I kontaktuar me telefon, zoti Hasan Ceni tha se këtë çështje do ta sqarojë sot, në selinë e PS-së. “Nuk kam asnjë informacion deri tani. Do të jem te partia nesër, (sot) në mëngjes. Në radhë unë jam, por nuk e di ça ngatërrese ka. Është ideja që është e gjashta në radhë, por nuk ma merr mendja se mund të ndodhë kjo, sepse kjo nuk shkon”, - u shpreh ai për “Gazeta Shqiptare”. Nga ana e saj, kandidatja Ezmerina Hoxha tha se ajo e ka të qartë Kodin dhe mandati i takon asaj. Por edhe nga PS-ja përgjigjja nuk është shumë e qartë. Pritet që kjo çështje të sqarohet në ditët në vijim, në mënyrë që në muajin shtator gjithçka të jetë gati, pasi qeveria e re nuk mund të miratohet para se të plotësohen vendet vakante me deputetët e rinj.

LISTA E DEPUTETËVE TË RINJ
Qarku Dibër
Në vend të Shkëlqim Canit vjen Hasan Ceni ose
Ezmerina Hoxha
Qarku Tiranë
Në vend të Saimir Tahiri vjen Enkelejda Shkreli
Në vend të Ditmir Bushatit vjen Ervin Bushati
Në vend të Lindita Nikollës vjen Blerina Gjylameti
Në vend të Milena Haritos vjen Erjeta Alhysa
Në vend të Klajda Gjoshës vjen Ylli Manjani
Qarku Lezhë
Në vend të Mimi Kodhelit vjen Mejreme Delishi
Qarku Fier
Në vend të Eglantina Gjermenit vjen Adelina Rista
Në vend të Ilirjan Celibashit vjen Anduel Xhindi
Qarku Elbasan
Në vend të Damian Gjiknurit vjen Arben Kamani
ose Luljeta Arapi
Në vend të Edmond Haxhinastos vjen Bujar Kllogjri
Qarku Durrës
Në vend të Ilir Beqjes vjen Shkëlqim Troplini
Në vend të Lefter Kokës vjen Bujar Derveni
Në vend të Edmond Panaritit vjen Kristo Huta
Qarku Gjirokastër
Në vend të Arben Ahmetajt vjen Vladimir Kosta
Qarku Berat
Në vend të Nasip Naços së LSI-së vjen Selfo Kapllani
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›