E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Mos konsumoni ujin e depozitave, rrezikohet shëndeti

TIRANE- Problemi i ujit të pijshëm mbetet ende një problem i pazgjidhur për qytetarët shqiptarë. Depozitat e ujit që gjenden në tarracat e pallateve, nëpër ballkone apo depozitat qindratonëshe që gjenden në katet e para të pallateve të reja, gjithnjë e më shumë përbëjnë shqetësim për jetën e qytetareve.

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik apelojnë për mospërdorimin e ujit të depozitave të shtëpive pasi rreziku që i kanoset popullatës nga konsumimi i ujit të depozitave është tejet i lartë. Ata rekomandojnë glorifikimin e shpeshtë të tyre, të paktën një herë në muaj, pasi ato përmbajnë baktere dhe lëndë të rrezikshme, e duke qenë se jo gjithmonë zbrazen plotësisht, lënë në fund ujë të ndotur dhe mikrobe. Mjekët sqarojnë se ndotja e ujit si pasojë e papastërtisë së depozitave rrezikon të sjellë shqetësime të rrugëve gastrointestinale, duke përfshirë edhe epidemi të ndryshme, deri në infektim nga Hepatiti A. Depozitat që qëndrojnë në tarracat e pallateve kanë vite e vite që nuk pastrohen nga familjarët. Janë pikërisht ata që duhet të marrin masa për pastrimin e tyre, pasi ato përmbajnë dhera, papastërti dhe ngarkesa të tjera bakteriologjike, të cilat rrezikojnë shëndetin e konsumatorit.

Sipas përfaqësuesve të Drejtorisë së Higjienës, më alarmante paraqitet situata në pallatet e reja, që janë ngritur kohët e fundit. Në këto ndërtesa, depozitat gjenden në katet e nëndheshme, ku ndodhin shpeshherë përmbytje. Edhe në këto raste duhet të jenë qytetarët ata që të marrin nismën për t’i pastruar këto vende të depozitimit të ujit. Kujdesi që duhet të tregojnë qytetarët lidhur me pastrimin e sistemit të brendshëm të tubacioneve të ujit është zbrazja dhe rimbushja e depozitave të paktën një herë në katër muaj si dhe klorifikimi i tyre minimalisht një herë në muaj.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›