E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitën paratë e pensionistëve, pranga vëllezërve

 

MALLAKASTER – Identifikohen dhe arrestohen autorët e grabitjes së parave të pensionistëve në fshatin Çorrush të Mallakastrës tre ditë më parë. Për kapjen e dy të dyshuarve, si grabitësit me dhunë të 700 mijë lekëve është organizuar operacioni i koduar “Çorrushi 2009”. Në pranga u vunë mbrëmjen e së shtunës dy vëllezërit Gjergji dhe Florian Begaj, 20 dhe 29 vjeç. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dy personat dyshohen se me maska dhe nën kërcënimin e armës ata i kanë grabitur punonjësit të Albapostës së zonës, B. Islamajt, një shumë të konsiderueshme lekësh, e cila do t’u shpërndahej pensionistëve të zonës. Policia sqaron gjithashtu se gjatë kontrollit në banesën e vëllezërve Begaj u gjetën dhe sekuestruan dy armë automatike. Ndaj dy vëllezërve Begaj ka nisur procedimi penal nën akuzën “vjedhje me armë” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”. Megjithë arrestimin ende nuk është gjetur shuma e parave të grabitura. Policia nga ana e saj ka deklaruar se shpërndarja e parave të pensionistëve është kryer jashtë ligjit, duke vënë vetëm një person për të shpërndarë në makinë paratë në zona të thella të qarkut, çka solli dhe lehtësinë e autorëve në realizimin e planit. Sipas njoftimit zyrtar, Policia e Fierit ka deklaruar se nëse evidentohet edhe herë tjetër shpërndarja e pensioneve jashtë ligjeve, atëherë masat do të jenë drastike për institucionet.          m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›