E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr për pronësinë, dy të plagosur në Tiranë

Dy persona janë plagosur ditën e djeshme, pas një sherri të lindur si pasojë e konflikteve për pronësinë në Tiranë. Petrit dhe Shpëtim Treca, babë e bir, përkatësisht 52 dhe 32 vjeç, janë goditur me mjete të forta, duke pësuar plagë në trup, pas një përplasjeje fizike me dy pjesëtarët e familjes Harizi. Ngjarja ndodhi paraditen e ditës së djeshme, pranë ish-ekspozitës “Shqipëria sot”. Si pasojë e kësaj, 32-vjeçari është në gjendje të rëndë për jetën në spital, ndërsa 52-vjeçari duket se e ka kaluar rrezikun.

Familjet e përfshira në konflikt janë nga fshati Baldushk i rrethit të Tiranës. Mosmarrëveshjet midis tyre kanë qenë të hershme dhe nisur nga kjo, ata kishin zgjedhur rrugën ligjore për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Megjithatë, duket se një përplasje e momentit, ndërsa ata kishin një proces gjyqësor, ka bërë që të dyja palët të konfrontohen fizikisht dhe nga kjo përplasje të ketë edhe dy të plagosur. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, që ka mbledhur dëshmitë e para në lidhje me këtë rast. Ndaj të plagosurve është dhënë ndihma e parë, duke i çuar ata në spital. Sipas burimeve të policisë, tashmë janë identifikuar autorët e kësaj plagosjeje.

Sipas burimeve të policisë, të dyja familjet, Treca dhe Harizi, kanë pasur probleme ndërmjet tyre, për sa i përket disa mosmarrëveshjeve në lidhje me çështje të pronësisë. Pikërisht këto qëndrime të kundërta kanë bërë që ato të hapin edhe një proces gjyqësor, për të gjetur zgjidhjen me anë të rrugës ligjore. Ditën e djeshme, dy pjesëtarët e familjes Treca kanë qenë në një seancë dëgjimore. Pas daljes nga Gjykata e Tiranës, të dyja palët janë vendosur përballë njëra-tjetrës. Shpëtim dhe Petrit Treca kanë qenë afër ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, kur janë përplasur me “rivalët” e tyre të familjes Harizi. Në fillim kanë qenë fjalët ato që janë shkëmbyer mes dy palëve. Por shpejt debati midis tyre është shndërruar në përplasje fizike. Të dyja palët kanë filluar të goditen me grushte e mjete të forta. Si pasojë, të dy pjesëtarët e familjes Treca kanë pësuar dëmtime në trup dhe kokë. Ata janë plagosur që të dy dhe janë transportuar menjëherë në spital. Autorët e kësaj plagosjeje janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke arritur që t’i shpëtojnë arrestimit dhe janë shpallur në kërkim nga uniformat blu. Policia ka ngritur një grup pune, për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›