Helsinki; Kushte të rënda në 4 paraburgime të monitoruara
Kushtet në dhomat e ndalimit dhe të shoqërimit në disa komisariate policie janë të rënda dhe të papranueshme. Konstatimi u bë publik dje nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH). Përfaqësues të organizatës pohuan se nëpërmjet korrespodentëve të tyre kryen disa vëzhgime në dhomat e ndalimit dhe shoqërimit në komisariatet: Korçë, Fier, Shkodër dhe Elbasan. Gjatë periudhës 29 shtator - 14 tetor 2008, këto monitorime u mundësuan në sajë të mbështetjes financiare të dhënë nga Komiteti Suedez i Helsinkit. Qëllimi i vëzhgimit ishte monitorimi i respektimit të të drejtave të personave të ndaluar dhe të shoqëruar. KSHH konstaton se kushtet e dhomave të ndalimit lënë për të dëshiruar. Problem mbeten kushtet jo të mira higjieno-sanitare në mjediset e brendshme, dhomat, tualetet në komisariatet Shkodër, Korçë dhe Fier. “Në komisariatin e Shkodrës dhomat e ndalimit të caktuara për të miturit dhe gratë e ndaluara ishin bosh, pa asnjë orendi (shtrat, stola) etj. Komisariati i Fierit ishte në momentin e transferimit në mjedise të reja, por në ambientet ekzistuese vazhdonin të funksionin dhomat e ndalimit të cilat paraqiten të amortizuara dhe jashtë çdo funksioni”, - vëren KSHH. Nga ana tjetër, gjatë takimeve me persona të ndaluar dhe të shoqëruar u pretendua se ndaj tyre ishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Në pamundësi për të verifikuar pretendimet e tyre, KSHH thotë se ka sinjalizuar Prokurorinë e rrethit gjyqësor përkatës. Kalimi i vendeve të paraburgimit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë mundësoi transferimin brenda afateve të caktuara të personave, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar arrest në burg. Gjatë monitorimit në komisariatin Korçë dhe Fier u gjetën persona me vendim të formës së prerë, në pritje prej disa ditësh për t’u dërguar në institucionet e vuajtjes së dënimit. Në të gjithë komisariatet e vëzhguara, personat e ndaluar dhe të intervistuar pretenduan se nuk vihen në dijeni për të drejtat e tyre, - ka evidentuar KSHH. Gjatë vëzhgimit të kryer në komisariatin e Fierit u mësua se nuk kishte personel femër, i cili duhet të jetë i pranishëm në momentin e ndalimit të femrave ose të të miturve. Lidhur me problemet e konstatuara, KSHH-ja adresoi një letër drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke i sugjeruar marrjen e masave konkrete për verifikimin e pretendimeve për ushtrim të dhunës fizike dhe psikologjike, marrjen e masave të nevojshme për përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare, si pajisjen e dhomave të të ndaluarve me orenditë e nevojshme. Gjithashtu, KSHH-ja sugjeroi bashkërendimin e punës së Policisë së Shtetit me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për transferimin në kohë të personave, të cilët kanë marrë masën e vlerësimit arrest në burg dhe që duhen transferuar në institucionet e paraburgimit.