Sherri Prifti-Meta, ha kokën e Stojkut
Thellohet përplasja brenda LSI, pikërisht midis kreut të kësaj partie, Ilir Meta dhe zëvendës kryetarit të kësaj partie, Dritan Prifti. Kanë qenë emërimet e këtij të fundit që kanë krijuar përçarje në formacionin politik të LSI. Lufta midis Metës dhe Priftit është konkretizuar
me largimin e drejtorit të KESH, Muharrem Stojku, i cili ishte emëruar në këtë post si preferencë e Priftit dhe jo si një kontribuent i partisë politike që drejton dikasterin. Largimi i kreut të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku, ka konfirmuar dje sherret brenda LSI, të cilat në të vërtetë janë prezente që pas ardhjes në pushtet nëpërmjet koalicionit me Berishën. Gjithashtu, largimi i kreut të KESH ka konfirmuar se lufta midis Metës dhe Priftit tashmë ka përfunduar me fitoren e kreut të LSI, të cilit tashmë i është hapur rruga për të emëruar një nga njerëzit e tij më besnikë në krye të KESH. Ditën e djeshme, Stojku ka bërë të ditur publikisht dorëheqjen e tij si drejtor i KESH-it, duke mos hezituar të denoncojë faktin se largimi i tij ka qenë politik dhe vinte nga LSI. Urdhri ka ardhur dje nga LSI që thotë se na takon ky vend. Për shkak të pozicionit qeverisës, u rishikuan pozicionet dhe ky është vendi i LSI-së, thanë. Kjo mu komunikua sot. Nuk kam dhënë dorëheqje vetë, por më thanë që ky pozicion i takon LSI-së, domethënë më kanë larguar. Vendimi erdhi pas konsultimit me Ilir Metën, ka deklaruar ish-drejtori i KESH, Muharrem Stojku, duke nxjerrë në dritë të diellit arsyet e largimit të tij të pavullnetshëm nga drejtimi i KESH. Pas largimit të tij, Stojku është zëvendësuar brenda ditës me zv/drejtorin e prodhimit në KESH, Engjëll Zeqo, i njohur brenda radhëve të LSI. Largimi i Stojkut përbën një nga rastet evidente të përfshirjes së krerëve të LSI në interesat dhe beneficet që sjell pushteti, duke sjellë largime të pamotivuara në administratë vetëm për hir të interesave personale të Ilir Metës dhe klanit të tij nepotik. Largimi i Stojkut vjen si një peshqesh për kreun e LSI, të cilit mesa duket kreu i qeverisë po i përmbush kërkesat e tij të shfrenuara vetëm nga frika e prishjes së koalicionit. Janë një sërë emërimesh që kreu i LSI ka bërë së fundmi, të cilat i përkasin rrethit të tij të ngushtë nepotik, duke filluar që nga kunati i tij, i cili është emëruar Nëndrejtor i Përgjithshëm i OST. Me largimin e Stojkut, Ilir Metës i hapet rruga e largimit të Dritan Priftit nga dikasteri që drejton, për të qenë vetë në krye të kësaj ministrie.
Lufta brenda LSI për emërimet e Priftit
Muharrem Stojku është një nga emërimet e ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, të cilët njihen si persona që nuk kanë pasur ndonjëherë lidhje politike me LSI, por vetëm personale me ministrin Prifti. Stojku ka qëndruar në pozicionin e Drejtorit të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, gjatë 8 muajve të fundit dhe njihet si mik i ministrit Prifti. largimi i tij nga KESH, në të vërtetë duket si një presion i kreut të LSI, Ilir Meta, i cili duket se është bërë keq pas kritikave të shumta të Berishës për institucionet dhe ministritë që drejton kjo forcë politike, por më së shumti dhe pas arrestimeve të njëpasnjëshme veçanërisht në institucionet vartëse të Ministrisë së Ekonomisë. Arrestimi i kreut të Inspektoratit Qendror Teknik, Virgjil Joti, edhe ky mik i ngushtë i Priftit por pa asnjë ditë kontribut politik brenda radhëve të LSI, ka acaruar Metën, i cili nuk ka qenë dakord që në fillim me emërimin e tij në krye të IQT. Kjo duket se ka sjellë hakmarrje nga ana e tij, duke bërë kokë turku kreun e KESH, Muharrem Stojku, i cili gjithashtu ishte një figurë e papëlqyer për Metën, duke qenë se ashtu si dhe Joti, nuk kishte lidhje politike me LSI përveçse me Priftin dhe Berishën. siç shihet, emërimet korruptive të Priftit duket se janë shkaqet kryesore të përçarjes brenda drejtuesve të LSI, e në mënyrë të veçantë mes Priftit dhe Metës. Këto përçarje duket se po shkojnë gjithnjë e më thellë, çka e vështirëson mjaft situatën e LSI brenda koalicionit qeverisës.
Stojku, kokë turku
Vendimi për largimin e drejtorit të KESH, Muharrem Stojku, është zyrtarizuar dje, në përfundim të mbledhjes së bordit drejtues të korporatës. Shkarkimi i Stojkut ka ardhur në mënyrë të papritur, ndërkohë që ende nuk është bërë i ditur një shkak zyrtar për këtë vendim. E papritura e vendimit lidhet me faktin se gjatë gjithë periudhës që KESH është drejtuar nga Stojku, ka pasur një situatë prodhimi dhe financiare shumë të favorshme; situatë kjo e stimuluar nga një vit shumë i mbarë me reshje. Stojku e ka marrë drejtimin e Korporatës në shtator të vitit 2009, pas dorëheqjes së Gjergj Bojaxhiut. Ai deri në atë kohë kishte punuar si drejtor i prodhimit të KESH-it. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare raporton se ka arkëtuar 40 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti nga bumi i eksporteve të energjisë elektrike. KESH deklaron se ka shitur 900 milionë kilovatorë gjatë tremujorit të parë, ndërsa nga eksporti në arkën e korporatës do të hyjnë këtë muaj edhe 17 milionë euro të tjera.