Sherri “Rezi-Rozi”, dëshmitarët në prokurori: Rozana u dhunua
Tiranë- Hetimi për konfliktin mes këngëtareve, Rozana Radi dhe Rezarta Shkurta, që degjeneroi deri në përdorimin e dhunës fizike, duket se do të vazhdojë gjatë. Pas kërkesës së Prokurorisë, për të marrë dëshminë e katër emrave të njohur të muzikës shqiptare, të cilët sipas policisë nuk janë gjendur në adresat zyrtare, ditën e djeshme organi i akuzës ka administruar dy dëshmi të reja. Rreth mesditës, dy dëshmitarët, të shoqëruar nga këngëtarja Rozana Radi janë paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, për të sqaruar gjithçka dinë për konfliktin mes dy këngëtareve të njohura. Vetë Rozana, e cila ka depozituar kallëzim penal për plagosje ndaj koleges së saj, Rezarta Shkurta, ka qëndruar pak çaste në Prokurori, ndërsa dy dëshmitarët e tjerë kanë dhënë shpjegime të detajuara për këtë çështje. E para që është pyetur ka qenë një kolege e këngëtares Radi, e cila ka treguar rreth njohjes së saj me dy këngëtaret dhe dijeninë që ajo ka pasur për konfliktin mes Rezartës dhe Rozanës. Po ashtu, këngëtarja ka treguar për prokurorinë edhe shenjat e dhunës që ajo ka vërejtur te Rozana, pas konfliktit fizik që ajo ka pasur me Rezarta Shkurtën, në dhjetor të vitit të shkuar. Konfirmimi për dhunën fizike që Rozana ka pasur, duket se ka qenë në fokusin e dëshmisë tjetër të dhënë ditën e djeshme në prokurori. Dëshmitari i dytë ka qenë kushëriri i Rozana Radit, i cili ka pohuar gjithashtu se pas këtij konflikti ka vërejtur shenja dhune te këngëtarja, ku binte në sy një e nxirë në sy. Prokuroria argumentoi se përveç akt-ekspertimit, që tregon për dëmtimet fizike që i janë shkaktuar këngëtares Rozana Radi, është e nevojshme që këto të dhëna të mbështeten edhe nga dëshmi të personave që kanë dijeni mbi këtë konflikt. Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria kërkoi dëshmitë e këngëtareve Çiljeta Xhilaga, Zajmina Vasjari, Ingrid Gjoni, si dhe personazhit të njohur të skenës shqiptare, Ardit Gjebrea. Por asnjë prej artistëve nuk u gjet nga policia në adresat e tyre zyrtare, fakt ky i konfirmuar edhe nga raporti i shërbimit që agjentët e policisë kishin mbajtur për kërkimet e kryera.