Tritol makinës së inspektorit të Policisë së Rendit
KRUJË- Eksploziv makinës së Idriz Dacit, inspektorit i Policisë Rendit të Komunës Nikël në rrethin e Krujës. Nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, ndërsa familjarët kanë qenë brenda në banesë, në oborrin e së cilës ishte edhe makina e policit të Krujës.
Shpërthimi
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës, ka qenë ora 21.00 e ditës së djeshme, koha kur edhe ka ndodhur shpërthimi. Persona ende të paidentifikuar duket se kanë vënë re inspektorin e policisë kur edhe është kthyer në banesë e për të vënë në jetë edhe planin për vendosjen e më pas shpërthimin e eksplozivit. Burime të strukturave blu të Krujës, ku edhe polici bën pjesë, bëjnë të ditur se personat që i kanë venë eksplozivin në kofanon e makinës së inspektorit të policisë Idriz Daci, kanë mundur të futen në oborrin e shtëpisë dykatëshe të policit e më pas kanë vendosur eksplozivin mbi makinë. Nga shpërthimi është shkatërruar komplet motori i makinës së Dacit, ndërsa janë dëmtuar edhe xhamat e shtëpisë së tij dhe të fqinjëve. Ndërsa frika dhe paniku ka mbërthyer edhe banorët e zonës ku ka ndodhur shpërthimi. Banesa e Dacit ndodhej rreth 100 metra larg rrugës kryesore që kalon qendër të fshatit Mazhe, ndërsa rruga dytësore që lidhte lagjen ku edhe banonte polici ishte ngjitur me rrugën dytësore. Në momentin e shpërthimit të eksplozivit në banesë kanë qenë edhe familjarët e inspektorit të rendit, por që përveçse kanë përjetuar panikun, nuk kanë patur lënduar.
Hetimi
Policia e Krujës ka marrë menjëherë njoftimin, duke mbërritur shumë shpejtë në banesën e kolegut të tyre. Drejtues të komisariatit të policisë së Krujës, kanë marrë në pyetje vartësin e tyre, për të ngritur dhe pistat se cilat mundë të jenë shkaqet që kanë dërguar në vendosjen eksplozivit të makinës së tij. Bazuar në të dhënat e policisë, mësohet se vendosja e eksplozivit ka gjasa të jetë vendosur nga konfliktet individuale që mund të ketë pasur gjatë ushtrimit të detyrës. Ndërsa oficerë të policisë të cilët kanë mbërritur në terren, kanë nisur edhe hetimet për identifikimin e autorit të ngjarjes. Po kështu lidhur me ngjarjen po punojnë edhe specialistët e SHISH-it, të cilët ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Interesant është fakti që ngjarja është mbajtur e fshehtë nga ana e strukturave të policisë, duke mos e publikuar, ndërsa familjarët e policit nuk kanë pranuar të prononcohen.