Arsenal me granata pas godinës së një televizioni
Një arsenal me granata është gjetur pas një televizioni kombëtar në "Kinostudio", ndërkohë që policia ka nisur hetimet për të zbardhur tërësisht këtë ngjarje. Njëmbëdhjetë granata dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh ishin fshehur te një pemë ulliri pas ndërtesës së televizionit, që dyshohet se mund të jenë lënë edhe nga ndonjë grup të rinjsh, pas konflikteve që kanë pasur me rivalët e tyre. Nga të dhënat hetimore, mësohet se gjetja e municioneve ka ndodhur rreth orës 14:00 të dy ditëve më parë dhe menjëherë janë njoftuar shërbimet e Komisariatit nr. 4. Një telefonues ka treguar se poshtë një ulliri është gjetur një çantë. Ai ka shpjeguar për sallën operative se brenda saj ndodheshin granata dhe fishekë. Më pas, ai ka pritur shërbimet e policisë, derisa kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe u ka treguar për municionet. Policia ka bërë sekuestrimin e tyre, që sipas të dhënave ishin 11 granata në gjendje pune dhe një sasi fishekësh armësh të ndryshme. Menjëherë kanë nisur edhe hetimet për këtë ngjarje, duke mos lënë mënjanë edhe televizionin, pranë të cilit u gjetën municionet. Sipas të dhënave hetimore, kjo mund të ketë ardhur edhe nga ndonjë konflikt me punonjësit e televizionit, por pista më e mundshme për grupin e punës është ajo e hetimeve për përplasje mes grupeve të rinjsh në këtë zonë. Sipas të dhënave policore, andej ndodhin shumë konflikte, që disa herë kanë kaluar edhe në përdorim thikash apo armësh. Edhe kjo mund të jetë një parapërgatitje e tyre për "luftë" mes rivalësh, por që paraqet shumë rrezik për komunitetin. Megjithatë, municionet janë dërguar për ekzaminim në Laboratorin e Kriminalistikës, ndërkohë që policia e kryeqytetit po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e poseduesve të këtyre municioneve të rrezikshme.
Ble. Gi.
Ble. Gi.