E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sherri” me trenin elektrik, akuza fillon verifikimet

19/05/2010 Tre ditë më parë Sokol Olldashi paditi Spartak Poçin për shpërdorim detyre

Në skaner praktika e ndjekur nga Poçi, në Gjykatën e Arbitrazhit

TIRANE-Kallëzimi penal kundër Spartak Poçit i depozituar nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, është administruar dje nga njësia hetimore Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Tiranës. Burime pranë kësaj të fundit thanë se kanë filluar verifikimet dhe analizat me shefat e sektorit kundër krimit ekonomik, me qëllim hetimin e çështjes dhe nxjerrjen e përgjegjësve para ligjit. Pritet që në ditët në vazhdim, hetues të Task-Forcës do të sekuestrojnë në ministri dokumentacionin përkatës, i cili bën fjalë për kontratën e Ministrisë së Transporteve me “General Elektrics”, si dhe praktikën ligjore të ndjekur nga zyrtarët e kësaj ministrie për të mbrojtur interesat e shtetit në Gjykatën e Arbitrazhit në Romë. Hetuesit thanë se aktualisht është shumë shpejt për të drejtuar gishtin mbi persona konkretë, por gjatë hetimet pritet që të mësohen fakte dhe detaje më të reja. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, paditi tre ditë më parë ish-ministrin e Transporteve, Spartak Poçi, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi sipas tij ky i fundit me veprimet dhe mosveprimet e tij i ka kushtuar një dëm financiar shtetit që kap shifrën 12 milionë euro, faturë kjo që rritet çdo ditë për shkak të interesave. Sipas MPPT-së, komunikimi që mban firmën e Poçit dhe mosparaqitja e tij personalisht në gjykimin e Arbitrazhit sipas rregullave procedurale për të dhënë sqarimet e nevojshme në lidhje me këtë komunikim të paraqitur nga “General Electrics Transportation System, Athena" (Iliria Consortium) S.a, kanë qenë të rëndësishme për vendimin e gjykatës. Mosmarrëveshja objekt shqyrtimi në Gjykatën e Arbitrazhit ka qenë kontrata e datës 15 shtator 2003, për modernizimin e seksioneve të Hekurudhës Tiranë-Durrës dhe aeroportit “Rinas”. Komunikimi i ish-ministrit Poçi, i datës 3 dhjetor 2003, ku kërkohej procedimi i menjëhershëm i një pjese të kontratës, pa ratifikimin e saj në Kuvend ka shërbyer si provë kryesore e “General Elektrics”, për dënuar shtetin shqiptar me 12 milionë euro gjobë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›