Dështojnë bisedimet me minatorët, administratori i ACR-së lë Bulqizën
Minatorët kanë vijuar protestën para ambienteve të firmës, ndërsa pritet që me ta të takohet pronarja e kompanisë Decometal
BULQIZË Nuk ka ende një marrëveshje mes kompanisë Albanian Krom dhe minatorëve të Bulqizës. Dje ishte dita e 50 e ndërprerjes së punës nga 700 minatorë të këtij qyteti. Megjithëse administratori i ACR-së, Giga Bedineishvili, ka qëndruar për dy ditë në mjediset e ACR-së Bulqizë, ai nuk ka arritur të bindë minatorët për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Ai ka lënë dje Bulqizën, ndërkaq burime të besueshme thonë se mund të takohet me minatorët pronarja e kompanisë Decometal, e cila ka marrë me koncesion minierën e kromit Bulqizë.
Protesta
Minatorët janë mbledhur para portës kryesore të minierës dhe kanë qëndruar aty në shenjë proteste. Mes tyre ishin dhe drejtuesit sindikalistë Kol Nikollaj, Taf Koleci, Dilaver Përkoxha, Luan Nika, Baki Bajraktari etj. Me këtë veprim minatorët kanë treguar se ata nuk janë dakord me tri zgjidhjet e ACR-së, ndërkohë që deklarojnë mbështetje për presidentin e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj. “Giga Bedineishvili na premtoi rritje të pagës bruto 20 për qind, ndërkohë që rritja neto do të zbresë në 12 për qind. Ne nuk mund të jemi dakord me këtë zgjidhje”, thanë minatorët. Sipas tyre, po luhet me djersën dhe mundin e tyre në mënyrën më të pashembullt. Kompania koncesionare ACR kërkoi që minatorët të hynin mëngjesin e djeshëm në galeri për të nisur punën, pasi atyre iu paraqit një dokument i firmosur, ku deklarohej se ishin plotësuar tri nga kërkesat e vendosura nga minatorët. Por puna në galeri nuk filloi. Një ditë më parë administratori i ACR-së tentoi të hynte në bisedime me minatorët, ndërkohë që dje nuk e bëri një gjë të tillë, por rreth mesditës la Bulqizën dhe udhëtoi me helikopter drejt Tiranës.
Deklarata
Taf Koleci, president i Konfederatës së Industrisë, deklaroi se “nuk është e vërtetë ajo që tha Giga Bedineishvili një ditë më parë, se gjoja 500 minatorët janë në mbështetje të ACR-së. Sot ai e pa sa minatorë ishin brenda rrethimit të firmës. Askush nuk denjoi të takohet me të. Madje morën fund skenarët për të përçarë sindikatën e minatorëve. Nuk mund të pranojmë që matrapazë nga jashtë vendit të mbajnë peng një qytet të tërë, 700 minatorë dhe minierën më të madhe në vend” - theksoi Koleci. Ai shtoi se minatorët do të protestojnë çdo ditë nga ora 07.00 deri në 15.00. “Nuk hyjmë në galeri për të punuar deri kur të plotësohen të gjitha kërkesat tona ekonomike. Sikur dy vjet të zgjasë protesta, ne nuk dorëzohemi” - deklaroi Koleci për “Mapo”-n. As dje nuk është arritur një marrëveshje mes ACR-së dhe minatorëve të Bulqizës. Dëmet e shkaktuara ekonomisë shqiptare, qytetit të Bulqizës, minatorëve dhe vetë kompanisë janë mjaft të mëdha. Sindikalistët e shohin zgjidhjen me ndërhyrjen e Kryeministrit të vendit, ndërkaq ai ende nuk është prononcuar në lidhje me shqetësimet e minatorëve të Bulqizës. PAJTIM HASA