Olldashi: 30 leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, jepen kundrejt një shpërblimi

Arritjet e qeverisë në politikën e jashtme, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, realizimin e investimeve në shërbim të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, etj, ishin në qendër të takimit që u organizua me banorët e fshatit Kafaraj, komuna Frakull, me pjesëmarrjen e ministrave të Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja. Ministri Olldashi do të ndalej tek opozita, e cilësuar atë një opozitë shterpë, pa alternativa, pa inspirim dhe frymëmarrje për të marrë në dorë aspiratat e popullit, një opozitë që sipas tij është e paaftë për të udhëhequr drejt zhvillimit dhe prosperitetit, një opozitë që shquhet vetëm për sulme dhe sharje të paargumentuara ndaj pozitës dhe që hesht dhe nxihet përpara arritjeve dhe sukseseve qeverisëse.
A keni dëgjuar ndonjëherë kryetarin e PS, apo ndonjë lider të lartë të përmend emrin e Deliorgjit? Pse ngurrojnë, çfarë ka pas hezitimit për të përmendur emrin e këtij njeriu? Janë 30 leje ndërtimi, që sigurisht, në Bashkinë e Tiranës nuk jepen falas, por jepen kundrejt një shpërblimi që tashmë nuk është më sekret .Gjithë Tirana e di që për të marrë një leje ndërtimi duhet të paguash. Pra kjo është alternativa që kemi përballë, u shpreh ministri Olldashi. Tre ministrat e kabinetit qeveritar, Olldashi, Alibeaj dhe Beja kanë inspektuar dje shkollën e mesme të fshatit Kafaraj në komunën e Frakullës. Ishte ky investimi më i funditi i qeverisë shqiptare, i cili bëri të mundur përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës së shkollës. Në fjalën e tij ministri Olldashi ka deklaruar se qeveria shqiptare ka arritur objektivat e premtuara në fillim të mandatit të saj. Lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar si dhe rritja e investimeve kanë udhëhequr këtë qeveri përgjatë viteve në pushtet. Kjo do të jetë një rrugë në vazhdim, ka theksuar Olldashi, ndërsa ka përmendur se gjatë kësaj kohe vëmendja është ndaluar në ndërtimin e shkollave të reja dhe rikonstruksionin e shumë të tjerave. Sipas Olldashit vetëm gjatë kësaj qeverisjeje janë vënë në eficencë 1012 shkolla, që do të thotë një tregues pozitiv, ndërkohë që ka deklaruar se në Shqipëri është implementuar skema 1 ditë qeverisje, një shkollë e re. Në të njëjtën kohë nga ministri i Drejtësisë, Enkelej Alibeaj është deklaruar se Shqipëria është në rrugën e ndryshimit dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Ai ka thënë se vendi po ndryshon jo vetëm në investime, por mbi të gjitha në mentalitet, duke përmenduar këtu investimet në infrastrukturë. I pranishëm në takim ka qenë edhe ministri i Arsimit, Fatos Beja i cili ka përmendur rëndësinë e këtij investimi, duke e renditur atë si ndër më bashkëkohorët dhe që sipas tij gjithmonë do i vij në ndihmë komunitetit të zonës. Beja e ka cilësuar këtë si një ndër shkollat më të mëdha në qarkun e Fierit, ndërsa u shpreh se nxënësit e Frakullës dhe të të gjithë vendin do të jenë njësoj me bashkëmoshatarët e tyre europian.