Antikanabisi ndalon dy persona, ndiqet penalisht polici
Gjirokastër Brenda pak ditësh policia e Gjirokastrës ka shënuar operacionin e dytë për asgjësimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike, në territorin e Qarkut të Gjirokastrës. Pas asgjësimit në fshatin Lazarat, të tre parcelave të tilla dhe shpalljes në kërkim të tre personave të dyshuar si autorë të tyre, efektivat blu kanë asgjësuar sërish një parcelë të mbjellë me bimë narkotike në fshatin Kapariel, Gjirokastër. Madje, gjatë veprimeve të tyre efektivat e policisë kanë proceduar penalisht edhe një kolegun e tyre që mbulonte këtë zonë, për neglizhencë dhe moskryerje të detyrës. Veprimet e efektivave të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, gjatë operacionit të koduar “Maskimi”, janë përqendruar në vendin e quajtur “Gavore”, në fshatin Kapariel. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë, gjatë këtij operacioni antikanabis janë asgjësuar në total rreth 86 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si kanabis sativa. Gjatë veprimeve hetimore policia arriti të identifikonte edhe dy personat e dyshuar si autorë të këtij rasti të kultivimit të bimëve narkotike. “Specialistët për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, kanë ndaluar 55-vjeçarin Nexhin Mustafarj dhe Hakim Mustafarajn, 44 vjeç, të dy nga fshati Kapariel për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike”, pohoi ditën e premte policia e Gjirokastrës. Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është bërë pezullimi nga detyra i ndihmës specialistit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Gjirokastrës me inicialet S.D., që mbulonte këtë zonë. Sipas grupit hetimor, ndaj efektivit të policisë ka nisur ecuria disiplinore për përjashtimin nga Policia e Shtetit si dhe ka filluar procedimi penal për neglizhencë dhe moskryerje të detyrës. Dy persona, babë e bir, kanë rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se kanë mbjellë kanabis sativa në pronën e tyre. Drejtoria e Policisë Qarkut Shkodër në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve Zef Frroku 54 vjeç dhe Besnik Frroku 22 vjeç, të dy banues në fshatin Lum i Zi, rrethi Pukë. Arrestimi i tyre u bë pasi, në bazë të informacioneve të marra dhe gjatë kontrollit të ushtruar, nga shërbimet policore, pikërisht në tokën (arën) e tyre dhe në banesë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 120 rrënjë bime canabis sativa, 1 armë zjarri automatik, 2 krëhra me fishekë, 30 fishekë. B.SH./D.K.