E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për penalltinë, klubi përjashton Çanin

Klubi i Polonia Varshavës ka përjashtuar nga skuadra e parë sulmuesin e kombëtares shqiptare Edgar Çani, pas sherrit që ky i fundit pati me shokun e tij të skuadrës Tomasz Brzyski në ndeshjen ndaj Belchatov. Çani do të luajë me skuadrën e të rinjve deri në muajin janar, kur me rihapjen e merkatos, ai do të nxirret në shitje. Vendimi ekstrem është publikuar dje në uebsajtin zyrtar të klubit të Polonia Varshavës, që e ka akuzuar sulmuesin shqiptar se po shkatërron atmosferën e ekipit. Sipas klubit, sjellja e Edgar Çanit gjatë kësaj periudhe, sidomos në ndeshjen e së shtunës, kur Polonia Varshavë fitoi 5-0, i ka detyruar drejtuesit të bëjnë këtë zgjedhje, ndërkohë që një rol të madh duket se kanë patur edhe futbollistët e tjerë të skuadrës. “Vendimi u mor për shkak të sjelljes së keqe të futbollistit gjatë gjithë sezonit, por sidomos në ndeshjen ndaj Belchatov, - bëri të ditur klubi polak. – Përjashtimi i tij vjen me kërkesën personale të trajnerit”, shkruhet më tej në këtë komunikatë. Në fakt, përjashtimi i sulmuesit përbën padyshim një notë negative në karrierën e tij, teksa klubi e quan Çanin një “futbollist kontrovers”.
SHERRI
Katër ditë më parë, gjatë ndeshjes mes Belchatov dhe Polonia Varshavë, Çani u fut në fushë nga stoli dhe arriti të merrte një penallti. Sulmuesi kuqezi kërkoi që ta godiste vetë, por në fakt, te klubi polak është Tomasz Brzyski ai që gjuan 11-metërshat. Ai shkoi të merrte topin dhe të godiste, por Çani insistoi të gjuante vetë dhe mes tyre nisi një debat i vërtetë. Situata për pak agravoi, ndërsa në fund, me ndërhyrjen edhe të pjesës tjetër të ekipit, ishte pikërisht Tomasz Brzyski ai që gjuajti, duke goditur shtyllën në inat e sipër. Pas ndeshjes, mediat polake sulmuan Çanin se po prishte atmosferën në klubin e Polonia Varshavës, gjë që është konfirmuar edhe në komunikatën e djeshme të klubit.
ÇANI
Edgar Çani u kthye që në verë në një futbollist “nongrata” te skuadra e Polonia Varshavës, ku shkoi nga kategoria e dytë italiane. Ai nuk pranoi disa kohë të stërvitej me ekipin, pasi shpresonte të largohej në një klub tjetër, në kampionate më të rëndësishme të Evropës. Kur ky transferim nuk u bë realitet, Çani vendosi të rikthehej në klubin e tij, por tashmë shokët e ekipit nisën ta shihnin si një problem. Çani nuk ka luajtur shumë këtë sezon, ndryshe nga kombëtarja shqiptare, ku ka qenë çdo ndeshje si titullar. “Duket se bashkëlojtarët e tij te Polonia Varshavë nuk kanë simpati për Çanin, i cili disa javë i kaloi jashtë Varshavës, pasi donte të shkëpuste kontratën. Ai është kthyer, por pritet të shitet në janar”, shkruante sajti polak “Sport.pl”. Në të vërtetë, “divorci” i futbollistit të Shqipërisë me Polonia Varshavë duket tashmë i përfunduar dhe në janar, Edgar Çani do të jetë në kërkim të një skuadre të re.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›