E Diel, 1 Nëntor 2026

Varfëria, bie niveli i konsumit, shitjet me pakicë ulen me 2.9 për qind



Ervin KOÇI

Konsumatorët shqiptarë po ulin ndjeshëm nga muaji në muaj nivelin e konsumit dhe blerjeve, duke bërë që kjo gjë të pasqyrohet edhe në raportet e institucioneve shtetërore. Sipas raportit të INSTAT-it, tregtia me pakicë u ul me 2.9 për qind gjatë muajit shtator në krahasim me një vit më parë, gjë që solli edhe uljen e numrit të të punësuarve me 3.4 për qind. Pothuajse të gjitha llojet e dyqaneve, me përjashtim të ilaçeve dhe kozmetikës, kanë shënuar rënie të shitjeve, gjë që ka sjellë edhe shkurtimin e vendeve të punës. Më e goditur ka qenë tregtia e mallrave të luksit apo ato të konsumit afatmesëm e afatgjatë. Kështu, rënia më e theksuar është shënuar në shitjet e veshjeve dhe këpucëve, -7.7 për qind, si dhe shitjeve me pakicë të karburanteve në volum, -9.8 për qind. Punësimi në tregtinë e veshjeve dhe këpucëve është reduktuar me 21 për qind deri në shtator të këtij viti, në krahasim me shtatorin 2008. Rënia e shitjeve të librave, gazetave, artikujve shkollorë e mallrave të tjera industriale në dyqane të specializuara, ka qenë 2.8 për qind, por kjo rënie e vogël, në krahasim me sektorët e tjerë, ka sjellë një reduktim masiv të të punësuarve me gati 13 për qind. Por ndërsa shitjet me pakicë në dyqanet e specializuara kanë pësuar rënie, shitja e artikujve të përzierë joushqimorë nëpër dyqanet e paspecializuar ka shënuar një rritje prej 3.8 për qind. Në rritje rezulton edhe tregtimi dhe mirëmbajtja e automjeteve.

Indeksi

Indeksi i shitjeve me pakicë përgatitet një herë në tre muaj nga Instituti i Statistikave. Indeksi ka shënuar rënie të konsiderueshme gjatë të gjithë këtij viti, gjë që ndodh për herë të parë dhe që konfirmon prekjen e vendit nga kriza e përgjithshme ekonomike. Pak javë më parë, BSH-ja publikoi indeksin e besimit të konsumatorit, ku shqiptarët raportuan përkeqësim të gjendjes së tyre financiare. "Pritshmëria e përgjithshme ekonomike e konsumatorëve është në rënie, ndërsa blerjet e mëdha pësuan ulje me 1.5 pikë përqindjeje", raportoi BSH-ja. Konsumatorët vlerësojnë se situata e përgjithshme financiare është përkeqësuar në muajt e fundit. Ata presin që në 12 muajt e ardhshëm inflacioni të rritet pak më shumë se në të shkuarën. Rreth 45 për qind e konsumatorëve të intervistuar presin që papunësia të rritet në gjashtë muajt e ardhshëm. Në vëzhgimin paraardhës, vetëm 36 për qind e konsumatorëve kishin të njëjtin mendim. Nga ana tjetër, numri i shqiptarëve që besojnë se papunësia do të ulet është reduktuar më tej në 15.4 për qind, nga 27.7 për qind që ishte në vëzhgimin paraardhës.

Çmimet

Shumë prej produkteve të konsumit të përditshëm n tregun vendas janë të shtrenjta për shkak se vijnë nga importi. Çmimet e këtyre produkteve janë të larta në tregun tonë edhe për shkak të taksave që atyre u mbarten nga sistemi ynë doganor. Shumë tregtarë dhe grosistë ankohen për tarifat e shtrenjta doganore në vend, duke bërë që ato të ndikojnë drejtë për drejtë në rritjen e çmimit. Për gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur debate, pasi shumë tregtarë dhe biznese janë ankuar, duke akuzuar madje dhe për dëmtim të konkurrencës apo për privilegje ndaj bizneseve të caktuara. Drejtoria e Doganave thotë se ajo i mban çmimet e referencës në përputhje me çmimet reale, por kjo në fakt nuk mund të jetë kurrë e vërtetë, pasi çmimet lëvizin dhe nga ana tjetër bëhet fjalë për biznes, ku në mes ka marrëveshje tregtie. Drejtoria e Doganave është përpjekur që t’i ndryshojë referencat shpesh, në mënyrë që t’i përgjigjet lëvizjes së çmimeve në treg. Në rastin kur malli vjen me faturë çmimesh nga importi, thjesht duhet të paguhet tatimi në bazë të vlerës së blerjes dhe jo të asaj që kërkon administrata doganore.

BOX//////////////////////
Doganat aplikojnë çmime reference dy herë më të larta për frutat

Çmimet e referencës janë duke u shndërruar pa ndalur në pengesën më të madhe për bizneset, por edhe për konsumatorët e thjeshtë. Në të gjitha doganat e vendit vazhdojnë të aplikohen çmime reference për mallrat e importuara dhe nuk merret aspak në konsideratë çmimi real, me të cilin janë blerë këto mallra. Kështu, në doganat e vendit importuesit janë të detyruar të paguajnë çmim më të lartë për zhdoganimin e mallit se sa do të duhet të paguanin në të vërtetë. Të dhënat zyrtare bënë me dije dje se importi i frutave është ndër më të dëmtuarit nga çmimet e referencës. Në tregun e huaj një kilogram mandarina blihet për 0,2 euro, ndërkohë dogana nuk i merr parasysh faturat ku deklarohet ky çmim, por llogarit çmimin gjysmë euro. Për rrushin, dogana llogarit çmimin një euro, ndërkohë që në fakt ai blihet në tregun e huaj, e kryesisht në Maqedoni për gjysmë euro. Në fakt për të gjitha mallrat që vijnë nga importi doganat përdorin çmime të referencës dhe kjo gjë ka nisur që para katër vitesh. Në përpjekje, siç u tha atëherë, për të ndaluar abuzimet, qeveria vendosi të përdorë çmime reference. Kjo do të thotë që qeveria e di se sa është një çmimi i një malli në tregun e huaj dhe nuk pranon që dikush mund ta blejë më lirë, dhe ajo e llogarit tatimin në bazën e vlerës që ajo ka caktuar.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›