Sherri për skedinën e lotos, e pret me gërshërë në fyt
DEVOLL – Tronditet qyteti i Bilishtit nga një masakër brenda pikës së loto-sportit, ku një i ri i preu fytin një tjetri, duke e lënë përgjithmonë memec. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në qytetin e Bilishtit në një nga pikat e loto-sportit. Gjatë një konflikti për motive të dobëta (grindje për rezultate e një skedime sportive), 32-vjeçari Artan Osmanllari, lindur dhe banues në qytetin e Bilishtit, ka goditur me thikë në pjesën e qafës të riun Ledion Nallbati, 25-vjeçar, nga i njëjti vendbanim, dhe për pasojë i ka dëmtuar kordat zanore. I plagosuri është dërguar në Spitalin Civil të Korçës për të marrë ndihmën mjekësore dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën, tehu i gërshërës i ka prerë damarët e kordave zanore, të cilat i kanë krijuar probleme në artikulimin e fjalëve. Brenda 12 orësh autori i ngjarjes është ndaluar në përpjekjen për të ikur drejt Greqisë.
Ndalohet i kërkuari për vjedhjet në Tiranë dhe Elbasan
DURRËS – Pas disa kohësh në kërkim, policia ka arritur të ndalojë autorin e dy grabitjeve të ndodhura në Tiranë dhe Elbasan. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Albert Qafa, lindur e banues në Lagjen Nr. 14 në Shkozet. 44-vjeçari ështe shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit që më datë 28 gusht të këtij viti për veprën penale të vjedhjes me armë. Po kështu Qafa është shpallur në kërkim edhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës për një tjetër vjedhje të ndodhur tri ditë më parë në kryeqytet, ku dyshohet se ai është autor i kësaj vepre penela.
Prangoset, akuzohet për shfrytëzim prostitucioni
KRUJË – Një person i kërkuar nga policia ka rënë në pranga, pasi ndaj tij rëndon akuza e shfrytëzimit për qëllime prostitucioni në rrethana rënduese. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë është ekzekutuar urdhri i Prokurorisë së Rrethit Durrës, lëshuar më datë 10 shtator, për shtetasin Ylli Zenuni, lindur ne fshatin Arameras të Fushë-Krujës. 43-vjeçari Zenuni, i dënuar më parë për vjedhje, akuzohet për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese. Që prej 8 gushtit të këtij viti është shpallur në kërkim. Zenuni është kapur gjatë dy ditë më parë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë.
5 Tetor 2008