Tensione në Burgun e Fushë-Krujës, dështojnë negociatat me të dënuarit
FUSHË-KRUJË – Edhe gjatë gjithë ditës së shtunë ka vazhduar revolta në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, ku të dënuarit vazhdojnë me kërkesat e tyre dhe nuk kanë pranuar të negociojnë me autoritetet e këtij institucioni. Asnjë nga ana e drejtuesve të këtij burgu nuk ka pranuar të flasë për mediat, duke qëndruar në pritje të urdhrave të eprorëve të tyre për të ndërhyrë forcërisht që të shuajnë protestën. Burime nga brenda burgut bëjnë të ditur se rolin e negociatorit me të burgosurit e ka marrë Drejtori i Policisë Shpëtim Baçi, i cili deri në orët e vona të pasdites së djeshme nuk ka arritur një marrëveshje. Sipas burimeve në burgun e Fushë-Krujës, edhe gjatë ditës së djeshme nuk janë lejuar që të zhvillohen takime me të afërmit. Ky vendim është marrë për të larguar qytetarët nga zona e protestës dhe për të mbajtur të fshehtë informacionin se çfarë po ndodh brenda në qeli. Forcat e RENEA-s vazhdojnë të qëndrojnë në rrethinat e burgut. Drejtuesit e burgut të Fushë-Krujës janë shprehur të palëkundur në respektimin e rregullores së re, e cila ka hyrë në fuqi në fund të muajit shtator. Sipas saj, ndalohet lëvizja e lirë nëpër dhomat e burgut të personave të dënuar si dhe shkurtohet afati i qëndrimit në zonat e ajrimit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Burgut pohojnë se nuk kanë ndërhyrë forcat speciale dhe efektivat e brendshëm në qelitë e të dënuarve për të ulur protestat. Dy ditë më parë i ngritën në protestë rreth 25 të dënuar, pjesa më e madhe e të cilëve janë njerëz të njohur të botës së krimit. Ata kanë dalë kundër rregullores së re të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Familjarët e të dënuarve në Fushë-Krujë pohojnë se ata janë lënë pa vaktin e mëngjesit dhe se janë privuar nga shumë kërkesa që i konsiderojnë të ligjshme.
5 Tetor 2008