Masakrohet kambisti, mbetet i plagosur edhe agresori
POGRADEC – Një tjetër kambist ka rënë viktimë e grabitjes ditën e djeshme pas dy ngjarjeve të regjistruara javët e fundit në Tiranë dhe Elbasan. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se shtetasi Beqir Basha është gjetur i vdekur në një banesë në qytetin e Pogradecit. Në këtë ngjarje ka mbetur i plagosur me mjete të forta edhe një shtetas tjetër. Ngjarja ndodhi në një banesë në Lagjen Nr. 4 të qytetit, pronë e shtetasit Bashkim Muçka, i cili mbeti i plagosur rëndë. Burime zyrtare të policisë lokale, të cituara sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare thanë se Basha, me profesion kambist në qytetin e Pogradecit, u përlesh me mjete rrethanore me 50-vjeçarin Muçka, në banesën e këtij të fundit”. Të njëjtat burime thanë se është ende shpejt për të nxjerrë konkluzionin që vrasja të jetë kryer për grabitje, pasi në trupin e viktimës u gjet një shumë e konsiderueshme të hollash. Gjithsesi, kjo është një pistë, në të cilën po hetohet pasi dyshohet që Muçka ta ketë thirrur në banesë kambistin, duke i ngritur edhe kurthin për ta ekzekutuar. Nuk përjashtohet prishja e pazareve mes dy personave. Mësohet se 50-vjeçari ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe nga ana e policisë është lëshuar urdhër-ndalimi që në mjediset e spitalit. Burime në grupin hetimor bëjnë të ditur se autori i masakrimit të Bashës dyshohet të jetë me probleme mendore. Policia po punon për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje. Pak ditë më parë është grabitur nga disa persona të armatosur kampisti Fari Fanxho. Ngjarja ndodhi në afërsi të Gjykatës së Rrethit gjyqësor të Tiranës. Grabitësit kanë pritur sapo kambisti ka dalë nga banesa e tij në rrugën “Gjergj Fishta” dhe nën kërcënimin e armëve i kanë grabitur shumë prej 50 mijë eurosh.
Një ngjarje tjetër ndodhi në Elbasan ku pesë persona nga rrethe të ndryshme të vendit i grabitën me dhunë 2.5 milionë lekë kambistit Arben Kovaçi. Policia organizoi operacionin e koduar “Shkozeti”, ku morën pjesë agjentët e policisë së disa qarqeve dhe arrestoi tre persona Gentian Hoxha, 26 vjeç, Leart Mehmeti dhe Fisnik Hoxha, të cilët akuzohen për grabitjen me dhunë të Kovaçit. Personat që merren me shkëmbimin e parave në tregjet e valutave në vendin tonë kanë rënë shpesh pre e grabitjeve, shpeshherë me pasojë vdekje.
5 Tetor 2008