E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet edhe një tjetër trafikant droge i bandës së Shijakut

Kapet në banesën e tij Emanuel Tola, i kërkuar nga Drejtësia italiane. Ishte dënuar nga Gjykata e Milanos me 27.7 vjet burg për trafik droge

DURRËS – Pas arrestimit të 5 personave të kërkuar nga Drejtësia italiane për trafik droge, një tjetër person është prangosur dy ditë më parë në qytetin e Shijakut. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrës bëjnë të ditur se dy ditë më parë realizuan një operacion, i cili përfundoi me ndalimin e shtetasit Emanuel Tola, lindur dhe banues në Shijak. Në adresë të Tolës është lëshuar një urdhër ndalimi nga autoritetet italiane, sipas të cilave ai është dënuar me 27 vjet dhe 7 muaj burg për trafik droge. Fletë-arresti për të lëshohet vetëm pak javë pas realizimit të operacionit “Pastrimi”, i cili përfundoi me ndalimin e 5 personave, të dyshuar si anëtarë të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike.
Arrestimi
Kërkesat e autoriteteve italiane për arrestimin e “kapove” të drogës në Shijak nuk janë mjaftuar vetëm me 5 të prangosuri e disa javëve me parë. Mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21.00 me dhjetëra forca policie, të armatosur mirë, dhe nën masa të rrepta sigurie kanë shkuar në banesën e Emanuel Tolës, në zonën e Shijakut. I ndodhur përballë rrethimit policor, Tola nuk ka bërë asnjë rezistencë. Atij i është komunikuar urdhri i lëshuar nga Gjykata e Durrësit, e cila ka përcjellë “vendimin penal të formës së prerë të Gjykatës së Milanos në Itali, të datës 10. korrik 2001, në bazë të së cilit, ky shtetas është dënuar me 27 vjet e 7 muaj burg për veprat penale të krijimit të organizatës kriminale të trafikimit të narkotikëve”. Pas disa vitesh kërkimi, vetëm mbrëmjen e së premtes është bërë e mundur identifikimi dhe kapja e tij. Sipas zëdhënëses së Policisë së qarkut, dy ditë më parë është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Durrës dhe materialet procedurale iu kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit të Durrësit.
“Pastrimi”
Operacioni “Pastrimi” është zhvilluar njëkohësisht në Shijak, Berat dhe Durrës, duke çuar në pranga Hekuran Hoxhën, i njohur në Shijak me nofkën “Roni”, vëllain e tij, Fatbardhin, Alket Hatinë, Saimir Gjepalin dhe Mentor Shehun, të identifikuar si anëtarë të këtij rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës. Këta persona akuzohen se kanë trafikuar sasi të konsiderueshme heroine me destinacion tregun e narkotikëve në Perëndim. Pas mbërritjes së letër-porosisë voluminoze nga Italia, rreth 2 muaj më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për identifikimin e vendndodhjes së kreut të rrjetit, Hekuran Hoxhës dhe katër personave të tjerë, emrat e të cilëve ndodheshin në dosjen e ardhur nga përtej Adriatikut. Ndalimi së fundi i Emanuel Tolës e çon në 5 numrin e personave të kërkuar nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar droge në zonën e Shijakut.

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›