E Diel, 1 Nëntor 2026

Mijëra euro false në tregun shqiptar, prangosen dy kambistë

Arrestohen Andrea Markaj, pronar i exchange-it dhe kambisti Luigj Malaj. Dyshohet për një makineri të prodhimit të kartëmonedhës në Shqipëri

LEZHË – Në tregun e parasë në vendin tonë qarkullojnë sasi të konsiderueshme të kartëmonedhës europiane dhe dyshimet janë hedhur se ato janë prodhuar në ndonjë makineri shtypshkrimi në vendin tonë. Të paktën 100 mijë euro janë sekuestruar nga autoritetet policore shqiptare dhe në përfundim të operacionit janë ndaluar edhe dy persona. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se në kuadër të aksionit të koduar me emrin “Furtuna”, të organizuar nga ekspertët e kësaj drejtorie janë arrestuar shtetasit Luigj Malaj, kampist, si dhe Andrea Markaj, pronarë i pikës së këmbimit valutor "Qengji" në qytetin e Lezhës. Operacioni është realizuar mbrëmjen e së shtunës dhe në mënyrë të rrufeshme është bllokuar pika ku u gjetën 100 mijë euro të falsifikuara. Sipas burimeve, hetimi për zbulimin e kësaj sasie kartëmonedhash që qarkullonte në treg kishte nisur disa javë më parë. Në kontrollin e ushtruar në pikën e këmbimit janë gjetur prerje të ndryshme të kartëmonedhave në euro, të cilat rezultojnë false. Kontrolli është bërë pikërisht në momentin kur Markaj dhe Malaj ndodheshin të vetëm brenda në pikën e këmbimit. Ata janë kapur dhe ndaluar në kushtet e flagrancës teksa po merreshin me paketimin dhe numërimin e eurove false. Në momentin e arrestimit të tyre Policia e Lezhës ka sekuestruar edhe një makinë tip “Benz” në pronësi të Andrea Markajt. Burime zyrtare të Policisë pohojnë se Lugj Malaj, rreth 61 vjeç, merrej me transportin e valutës për të mbuluar gjurmët e falsifikimit të kryer nga Andra Marakaj. Ndërkohë që ai paguhej nga 58-vjeçarit Markaj për punën që kryente. Të njëjtat burime saktësojnë se një sasi e eurove të prodhuar nga ana e Andrea Marakjt ka dalë në qarkullim. Po punohet për gjetjen e laboratorit të falsifikimit të kartëmonedhave dhe plotësimin e dosjes hetimore. Dy të arrestuarit po merren në pyetje për të treguar origjinën dhe vendin e prodhimit të eurove false. Po kështu, policia ka bërë edhe sekuestrimin e pikës së këmbimit të valutës në Lezhë. Prerjet të ndryshme të eurove të falsifikuara janë dërguar në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës në Tiranë, për të vërtetuar plotësisht edhe falsifikimit si dhe mënyrën se si janë prodhuar kartëmonedhat. Kjo është sasia më e madhe e valutës së huaj false që është kapur gjatë dy viteve të fundit në vendin tonë.

Arrestohet, bleu karburant me 100 dollarë falsë

DURRËS – Një pronar karburanti ka denoncuar një shtetas pasi ka blerë naftë me dollarë falsë dhe ndaj tij kanë nisur hetimet. Burimet zyrtare të policisë vendore bëjnë të ditur se kanë shpallur në kërkim shtetasin Denis Aruci, lindur në Durrës dhe banues në komunën e Maminasit. Shpallja në kërkim e 24-vjeçarit Aruci është bërë për arsye se si rezultat i punës hetimore të kryer nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar Durrës, rezultoi i dyshuar për një ngjarje të ndodhur më datë më 5 prill të këtij viti, ku në një karburant në qytetin e Durrësit ka blerë naftë duke dorëzuar një kartëmonedhë 100 dollarëshe të falsifikuar.

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›