E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmet Prençi: “Policia e Shtetit, arritjet dhe sfidat drejt profesioalizmit”

Intervista/ Flet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Si u bë reforma në Polici dhe ristrukturimi i saj. Kriteret e ripranimeve në të gjitha nivelet. Problemet më imediate që ka Policia sot. Dypunësimi i uniformave blu, çfarë parashikon lig

Luan Kondi
Për të mbërritur deri te drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka procedura. Edhe pse ka qenë një takim i planifikuar ditë më parë, përsëri nuk mund t’i shmanget askush rregullit për të hyrë deri aty nga vijnë të gjitha urdhrat për uniformat blu. Në shoqërinë e një punonjësi të shërbimit mbërrita deri në paradhomën e zyrës së drejtuesit të uniformave blu. Zëdhënësi dhe këshilltarët e tjerë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ishin po aty, gati për hyrë bashkë me mua në zyrën e eprorit të tyre. Zoti Ahmet Prençi qëndronte në tavolinën e punës dhe në këtë moment shfletonte morinë e gazetave të ditës për të marrë nga aty informacionet, pse jo, edhe për punën e tij. E shtuna është ditë pune për të, si edhe për efektivat e Policisë që ai drejton. I njohur paraprakisht vetëm me objektin dhe platformën e intervistës së kërkuar nga gazeta “Albania” kohë më parë, dukej se ishte plotësisht gati për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve. Me elegancën e drejtuesit të një dikasteri tepër të rëndësishëm të vendit, zoti Prençi ka ditur të japë aq sa duhet për informimin e publikut, ndërsa nuk u është shmangur aspak pyetjeve që kanë të bëjnë me ligjin e Policisë, Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për gradat në Policinë e Shtetit”, reformën dhe ristrukturimin e Policisë, ripranimet në të gjitha nivelet, problemet më imediate që Policia ka për realizimin me sukses të misionit, dypunësimin e punonjësve të Policisë, përdorimin e armës së shërbimit, masat që u morën në asgjësimin e bimëve narkotike dhe plani për moslejimin e trafikimit të atyre që kanë shpëtuar pa u asgjësuar etj.

Është miratuar para disa kohësh Ligji “Për Policinë e Shtetit”. A mund të themi se tashmë Policia ecën mbi shina tërësisht ligjore?
Më 4 qershor të vitit 2007 është miratuar ligji për Policinë e Shtetit. Ky ligj u përgatit nga ekspertët më të mirë të Policisë, me asistencën e misionit “PAMECA” dhe programit “ICITAP”, duke përfshirë standardet e policive të vendeve të Bashkimit Europian. Në mbështetje të ligjit të ri gjatë kësaj periudhe janë hartuar dhe miratuar akte të rëndësishme që kanë të bëjnë me rregullimin e veprimtarisë së Policisë mbështetur në këtë ligj. Mund të përmendim miratimin e Rregullores së Personelit, vendimin e Këshillit të Ministrave për gradat, miratimin e Rregullores së Disiplinës, si dhe disa urdhra dhe udhëzime të ministrit të Brendshëm dhe të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Duke u mbështetur në ligjin e ri dhe në aktet normative të nxjerra në zbatim të tij, sot kemi një mënyrë të re të strukturimit të Policisë, një mënyrë të re të organizimit të veprimtarisë së saj. Në momentin që flasim mund të themi që i gjithë aktiviteti i Policisë dhe mënyra e funksionimit të saj është në përputhje të plotë me ligjin e ri.

Këshilli i Ministrave miratoi gradat e reja në Policinë e Shtetit. A e formëson përfundimisht karrierën policore ky vendim?
Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton funksionet korresponduese për gradat në Policinë e Shtetit dhe ekuivalentimin e tyre. Ligji i ri jep në mënyrë të detajuar hierarkinë e gradave, sistemin e tyre, nivelet si dhe rregullat e procedurat për ngritjen në gradë. Në dhënien e gradave të reja, në momentin e implementimit janë ndjekur në mënyrë rigoroze procedurat standarde që përcakton ligji. Ky proces është mbështetur nga komisionet e ngritura për këtë qëllim nën mbikëqyrjen dhe këshillimin e vazhdueshëm të ekspertëve ndërkombëtarë. Duke filluar nga kjo fazë e në vazhdim, ligji rregullon në tërësi mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Policisë, duke u dhënë mundësi të barabartë të gjithëve për të bërë një karrierë graduale, të sigurt dhe të standardizuar.

Cilat janë problemet me të cilat ndeshet sot Policia e Shtetit, që duhet të rregullohen me ligj?
Ligji është i standardeve më të mira dhe ne po marrim masat e plota për ta vënë atë në zbatim të plotë në tërë komponentët përbërës të tij. Por mendoj se ligji, sado i përsosur të jetë, mund të ketë nevojë për t’i bërë amendime, të cilat do ta përmirësojnë atë më cilësisht. Më konkretisht, e kam fjalën për nevojat imediate që ka, por edhe mund të ketë për të ardhmen për të rekrutuar në radhët e Policisë së Shtetit ekspertë e specialistë me njohuri të veçanta në fusha të ndryshme. E vetmja mënyrë për të hyrë në Policinë e Shtetit është shkollimi bazë policor. Sot në Polici ka filluar aplikimi i teknologjive më bashkëkohore të transmetimit dhe të analizës së informacionit kriminal dhe të të gjitha të dhënave të tjera me të cilat merret policia. Gjithashtu, sot uniformat blu po merren me hetimin e veprave penale që kanë të bëjnë me krimin ekonomik - financiar, me pastrimin e parave, me krimet kompjuterike etj. Në këtë kontekst shkollimi bazë i policisë “ngec” në rastin kur nuk ka një formim të plotë universitar të kualifikuar. Përkundrejt njohurive të veçanta mendoj se nuk do të jenë në gjendje të përballen me këto sfida. Edhe policitë e vendeve të zhvilluar e kanë zgjidhur këtë problem duke rekrutuar në polici specialistë më në zë të këtyre fushave. Mënyra e rekrutimit, trajtimi i mirë i tyre dhe të tjera përfitime, duhet të garantohen nga ligji i ri i Policisë.

Themi shpesh se trajnimi policor është i rëndësishëm për profesionalizmin e kësaj strukture. A mund të themi me gojën plot se aktualisht kemi një polici profesionale?
Me ligjin e ri ne kemi përmirësuar edhe sistemin e shkollimit dhe të trajnimit, duke i garantuar çdo punonjësi policie mundësinë e aftësimit në vazhdimësi gjatë gjithë karrierës së tij. Kjo për faktin e thjeshtë se profesionalizmi nuk ka fund asnjëherë dhe gjërat evoluojnë dhe ecin me shpejtësi. Sot e them me bindje se jemi në nivelet më të larta të profesionalizmit të Policisë shqiptare. Vitet e fundit, në asnjë rast Policia e Shtetit nuk ka bërë arrestime pa aplikuar më parë një hetim të gjithanshëm e të plotë, duke realizuar me sukses metodat speciale të hetimit që parashikon ligji. Për rrjedhojë, nuk po dëgjojmë më për arreste të paligjshme të policisë, për lirim të të arrestuarve për mungesë provash etj. Kjo u dedikohet punonjësve të strukturave të hetimit, të cilët kanë prodhuar rezultate shumë të mira në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, korrupsionit, krimit ekonomik financiar etj. Mund ta faktoj këtë me kryerjen e 25 operacioneve ndërkombëtare në bashkëpunim me policitë partnere, që janë finalizuar me sukses të plotë. Nga drejtues të policive të vendeve të tjera, me të cilët kemi bashkëpunuar, unë kam marrë vlerësimet më pozitive për punën shumë profesionale të bërë nga ekspertët shqiptarë. Njëkohësisht mund të sqaroj se ne kemi projekte binjakëzimi dhe bashkëpunimi me polici të zhvilluara, siç janë; ajo britanike, austriake, italiane, gjermane etj., ku specialistët tanë po u nënshtrohen trajnimeve intensive brenda dhe jashtë vendit dhe produkti i këtyre trajnimeve janë rezultatet që prodhohen çdo ditë.

Cilat janë nevojat imediate të Policisë së Shtetit për të përmbushur misionin e saj?
Policia e Shtetit ka hartuar dhe po implementon disa projekte shumë të rëndësishme që kanë gjetur mbështetjen e qeverisë shqiptare, të Bashkimit Europian dhe të Departamentit të Shtetit Amerikan. Kemi gati në përfundim projekte gjigante të financuara nga Bashkimi Europian dhe SHBA-të, si: “Datacomi”, “Memexi”, “Rimsi” dhe “Tims”. Këto projekte kanë të bëjnë me teknologjinë e fundit të regjistrimit, transmetimit, përpunimit, analizës së të gjithë të dhënave, informacioneve dhe veprimeve që kryen Policia e Shtetit. I gjithë ky mekanizëm do të kryhet on-line në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo do të thotë se veprimet që kryen nga çdo punonjës policie do të transmetohen menjëherë në serverin qendror, ku çdo e dhënë që grumbullohet do të administrohet dhe analizohet në mënyrë të shpejtë, duke u shërbyer në kohë nevojave të luftës për parandalimin dhe goditjen e ngjarjeve kriminale.
Njëkohësisht, së shpejti do të kemi dhe një polici të pajisur me mjete motorike uniforme, me armatim dhe pajisje bashkëkohore.

A mjafton mbështetja e deritanishme logjistike për Policinë e Shtetit?
Në vazhdimësi Policia e Shtetit është pajisur me mjete dhe teknologji për të qenë sa më eficente në punën e saj. Ne këtë drejtim mbështetja e qeverisë me mjete financiare ka qenë dhe mbetet e gjithanshme dhe e plotë. Sa më i trajnuar të jetë punonjësi i Policisë, sa më kompetent dhe profesional që të paraqitet ai në publik, sa më i shpejtë që të jetë ai me veprimet e tij në ndihmë të qytetarëve, sa më shumë rezultate të ketë ai në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, aq më i besueshëm do të jetë në sytë e qytetarëve dhe aq më shumë qytetari do të jetë në krah të tij. Vitin që vjen mendoj se do të sigurojmë një uniformë të re dinjitoze dhe të standardeve europiane, që do ta prezantojë figurën e punonjësit të Policisë ashtu siç duhet. Siç e pamë këtë vit Shqipërinë e vizituan 2,5 milionë turistë. Mendoj se kontakti i parë i tyre ka qenë me punonjësit e Policisë Kufitare, në akset rrugore me punonjësit e Policisë së Qarkullit, në pikat turistike, qendrat kulturore dhe plazhet publike me Patrullat e Përgjithshme. Prandaj për ne mbetet e rëndësishme jo vetëm që të sigurojmë shërbim policor efecient dhe sipas standardeve të vendeve të Bashkimit Europian, por edhe ta pajisim këtë shërbim me logjistikën e nevojshme.

Është bërë reformimi i Policisë së Shtetit dhe riorganizimi i saj. Si është vepruar më konkretisht gjatë këtij procesi të vështirë?
Siç e theksova edhe më sipër, ky ka qenë një proces mjaft kompleks që ka përfshirë legjislacionin, ndërtimin strukturor si dhe mënyrën e funksionimit koherent të Policisë. Gjatë këtij procesi dinamika e lëvizjes së personelit ka qenë shumë e kufizuar. Rimarrjet dhe marrjet në polici tani për tani janë pezulluar me qëllim që ky proces të bëhet sa më transparent dhe në përputhje me ligjin e ri. Dua të sqaroj se për të hyrë në radhët e Policisë së Shtetit janë vendosur kritere e standarde dhe nuk mund të bëhet pjesë e saj asnjë shtetas që nuk plotëson kriteret që parasheh e përcakton ligji. Ndërkohë, nisur nga nevojat për plotësimin e disa vendeve vakante, po shqyrtohen nga strukturat përkatëse, rast pas rasti, kërkesat e bëra për t’u pranuar apo ripranuar në radhët e Policisë.

Duke u nisur nga përfundimi i strukturimit, a mund të themi se kemi tani një polici më eficente?
Policia e Shtetit në mënyrë të përditshme bën prezent para publikut të gjithë aktivitetin e saj. Ju keni ndjekur dinamikën e goditjeve të herëpashershme që bën policia dhe treguesit kanë qenë më të mirët ndër vite. Është shumëfishuar goditja e tendencave kriminale në fushën e korrupsionit, të trafikut të drogës, trafikut të qenieve njerëzore etj. Gjithashtu, një prioritet në punën tonë ka qenë dhe mbetet zbulimi i autorëve të ngjarjeve të vjetra dhe rifillimi i hetimeve për zbardhjen e tyre. Qëllimi ynë është që çdo autor i ngjarjeve të rënda kriminale të mos i shpëtojë përballjes së tij me Drejtësinë. Në këtë kuadër ne kemi thelluar edhe masat, përfshirë bashkëpunimin e shkëlqyer me Interpolin për kapjen e personave në kërkim si brenda, dhe jashtë vendit. Këto tregojnë rritjen e efikasitetit e të forcës parandaluese e goditëse të Policisë.

Pra, pas vendosjes mbi ligje të standardeve europiane dhe miratimit të rregullore të reja, a mund të kemi tanimë një polici larg ndikimeve politike?
Ligji i ri i Policisë së Shtetit e garanton më së miri këtë dhe ne po e zbatojmë me konsekuencë këtë ligj. Zhvillimi i organizatës së Policisë, emërimet, transferimet në mbështetje të këtij ligji i bën drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Kjo e detyron drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që për çdo vendim që merr t’u referohet vetëm kritereve që i jep ligji dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Në këtë mënyrë u jepet fund një herë e mirë ndikimeve të politikës në punën dhe veprimtarinë e Policisë.

Gjatë ditëve të fundit janë shpallur vende bosh në të gjitha nivelet e drejtimit të Policisë së Shtetit. A do të jetë transparent ky proces?
Së pari, me startimin e këtij procesi ne kemi bërë publik njoftimin që të gjithë aplikantët që plotësojnë kushtet ligjore të paraqesin kërkesat e tyre. Janë hartuar kriteret, procedurat, testimet që do të kalojë çdo aplikant për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Edhe këtë proces po e bëjmë në konsultë me ekspertët ndërkombëtarë, me përfshirjen e Departamentit Mbështetës të Policisë, Departamentit të Shkollimit dhe Trajnimit Policor dhe të jeni të sigurt që do të jemi shumë të hapur dhe shumë transparentë në zbatimin e kritereve ligjore për përzgjedhjen e këtij personeli. Përputhshmërinë e aplikantëve me pozicionet ku do të emërohen i ka zgjidhur më së miri ligji. Për shembull, në Polici ripranohen personat që janë larguar për shkak të shkurtimit të funksionit organik dhe personat e larguar me kërkesën e tyre. Punonjësi që ka më shumë se një vit i larguar nga Policia e Shtetit për dy arsyet që përmenda më lart, vjen në Polici me një gradë më të ulët se në momentin kur është larguar. Kur kjo ka ndodhur në më pak se një vit, atëherë ai rifiton gradën me të cilën është larguar nga Policia.

Po me ata punonjës policie që janë përjashtuar me të padrejtë dhe kanë fituar të drejtën me gjyq për t’u rikthyer, si do të operohet?
Në kriteret që kemi vendosur për ripranimet edhe kjo kategori punonjësish ka të drejtën të aplikojë, por nuk do të jenë prioritarë si dy kategoritë e sipërpërmendura.

Lidhur me kritikat që Shqipërisë i janë bërë për kultivimin e Cannabis sattivas çfarë po bëhet për ta hequr vendin tonë nga harta e kultivuesve?
Ky është një proces që zë vend të rëndësishëm në punën e Policisë. Plani kombëtar që ka zbatuar policia përfshin tri faza; së pari sensibilizimin e opinionit publik dhe angazhimin e të gjithë aktorëve për të mos e mbjellë këtë bimë. Së dyti, është faza e shkatërrimit të bimëve të mbjella dhe goditja e personave që e kanë kultivuar këtë bimë. Së treti, është organizimi i punës për të goditur individë dhe grupe kriminale që përpiqen që këtë sasi të kultivuar ta trafikojnë jashtë vendit. Dy fazat e para janë ezauruar dhe mund të them që është bërë një punë mjaft e mirë. Faza e tretë dhe e fundit është një fazë që kërkon një profesionalizëm më të madh dhe garantoj se do të jetë shumë e suksesshme. Ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por një fenomen shqetësues edhe për vende të tjera, përfshi këtu dhe vende anëtare të Bashkimit Europian. Nisur nga statistikat ne mund të flasim për tregues mjaft pozitivë dhe ajo që ka të bëjë me fazën e tretë të operacionit antitrafik mund të them që nëse para disa vitesh sekuestroheshin nga Policia italiane dhjetëra tonë Cannabis sattiva me origjinë nga Shqipëria, këtë vit, sipas statistikave të Policisë italiane, janë trafikuar 4 kg Cannabis sattiva. Për tri vatrat e kultivimit të Cannabisit në Shqipëri, Lazarati, Lumi i Vlorës dhe Malësia e Mbishkodrës, mund të them se kemi sasitë më të mëdha të asgjësuara ndonjëherë. Në Lumin e Vlorës dhe në Malësinë e Mbishkodrës, nga monitorimet e fundit rezulton të mos ketë mbetur asnjë rrënjë e paasgjësuar, ndërsa në Lazarat, në fazën e tretë operacionale ju do të mësoni më vonë se çdo sasi që do të përgatitet për t’u trafikuar do të sekuestrohet dhe autorët e mbajtjes dhe trafikimit do të ndëshkohen.

Nga statistikat e deritanishme kemi rritje të numrit të vrasjeve nga krimi në familje. Si do të veprohet për uljen e këtij numri, i cili rrit numrin e ngjarjeve kriminale me pasojë vdekjen?
Me keqardhje shpreh që na ndodhin vepra të tilla kriminale. Ne po bëjmë çdo përpjekje që policia të jetë pjesë e veprimeve ligjore procedurale në të gjitha rastet ku shfaqen konflikte në familje. Në disa qindra raste kur policia është e angazhuar dhe ka miratuar urdhrat e mbrojtjes në gjykatë ne kemi evituar konflikte që mund të përfundonin me pasoja të rënda. Gjej rastin që për të tilla probleme të vihet në dijeni policia dhe çdo konflikt të hyjë në rrugën ligjore të zgjidhjes. Dua të them që po të heqësh 18 vrasjet në familje dhe 6 vrasje nga pakujdesia, ngelemi në shifra shumë të ulëta të vrasjeve, pra 50 vrasje.
Dua të përfitoj nga ky rast për të nënvizuar faktin se parandalimi i krimit në familje është një problem jo vetëm i policisë, por në tërësi i shoqërisë dhe institucioneve të tjera, jashtë Policisë së Shtetit. Bashkëpunimi me këto subjekte kërkon një vëmendje më të madhe dhe një koordinim më perfekt për të minimizuar fenomenin në fjalë.

A lejohet dypunësimi i punonjësve të Policisë së Shtetit?
Ligji i ri i Policisë së Shtetit e lejon dypunësimin, por kjo duhet të deklarohet dhe t’u nënshtrohet zbatimit të rregullave dhe procedurave të caktuara. Në Rregulloren e Brendshme të Policisë, e cila sapo ka përfunduar dhe pritet miratimi i saj, përcaktohen qartë procedurat standarde të funksionimit të dypunësimit nga punonjësit e Policisë. Kjo rregullore është hartuar nga ne në mbështetje të ligjit të këshilluar nga partnerët ndërkombëtarë. Rregullorja do të miratohet këto ditë.

Nisur nga disa ngjarje ku autorë kanë qenë punonjës të Policisë, madje krimi është kryer me armën e shërbimit, si mund të eliminohen ngjarje të tilla?
Këto ngjarje kanë qenë sporadike, të shkëputura dhe me statistikë gjithsej kemi të bëjmë me 5 të tilla në 3 vitet e fundit, përfshi këtu krimin në familje apo dhe rastet në kapërcimin e mbrojtjes së nevojshme. Punonjësi i Policisë presupozohet se është në çdo kohë në krye të detyrës. Çështja është nëse punonjësi i Policisë i respekton kërkesat e ligjit për përdorimin e forcës dhe të armës apo jo. Mbetet detyrë e përhershme e drejtuesve dhe e strukturave tona që t’i trajnojnë në vazhdimësi punonjësit tanë në mënyrë që ata të jenë kurdoherë brenda ligjit në rastet kur përdorin forcën apo armën. Natyrisht, në rastet kur nuk i respekton ai do të përgjigjet para ligjit. Nënvizoj se me riorganizimin e ri të Policisë çdo punonjës policie që nuk ka gradë policore nuk do të ketë të drejtë të mbajë as uniformë, as gradë dhe as armë. Pra këtij kriteri do t’u nënshtrohen rreth 1500 persona.

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›