E Diel, 1 Nëntor 2026

Minutat e tmerrit përballë maskave

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 48 orë nga grabitja me maska e banesës së biznesmenit sarandjot, policia nuk ka ende emra konkretë të autorëve. Dje janë shoqëruar disa persona, por nuk ka të ndalur si autorë të ngjarjes. Ndërkohë e ëma e moshuar, Nurfo Shalari, tregon për "Shqip" minutat e tmerrit, mes dy grabitësve të maskuar e të armatosur. "Menduam se ishin njerëzit tanë dhe nuk i pamë nga syri magjik. Fillimisht mendova se njeri ishte nipi im, që ndonjëherë vë ndonjë maskë nga ato të lodrave dhe tjetri ndonjë shok i tij, që kërkonin të bënin shaka me mua. Akoma mendoja kështu, edhe kur njëri më mori hopa dhe më solli në kuzhinë. Po kur më plasi në divan e kur pashë se në njërën dorë mbante revolen, e kuptova se u kishim hapur derën kriminelëve", nis rrëfen e moshuara. Më pas ajo tregon se si njëri prej të rinjve kishte qëndruar te porta, ndërsa tjetri, pasi u kishte lidhur duart nënës dhe bashkëshortes së biznesmenit, u kishte mbyllur edhe gojët me natriban dhe: "na tha të mos bënim asnjë lëvizje, se na priste plumbi. Të njëjtën gjë donin të bënin edhe me gruan që na pastron shtëpinë, po me shenja u thashë se ajo nuk është e shtëpisë. E lidhën edhe atë njësoj si ne. Pas kësaj hajduti iu drejtua telefonit të shtëpisë dhe e përplasi, që të mos punonte", rrëfen më tutje Nurfoja. Dy personat e maskuar kanë kërkuar me insistim t‘u tregonin se ku i mbanin të fshehura lekët, ndonëse gratë u ishin përgjigjur se të ardhurat i mbanin të depozituara në bankë. "Nusja u zgjati portofolin e saj dhe ata morën aq lekë sa gjendeshin në të. Por nuk u gënjyen me kaq. Vajtën në dhomën e gjumit dhe i hodhën plaçkat përdhe, derisa gjetën 3-4 milionë lekë të miat, që m‘i kishte lënë im shoq, para se të vdiste dy vjet më parë", vijon ajo. Sipas gruas keqbërësit e kanë pasur të lehtë të largohen pas marrjes së parave. Pastaj i kanë futur tri gratë në një prej tualeteve të banesës, ku nuk kishte dritare dhe mundësi që të komunikohej me fqinjët. "Dëgjonim me veshë se çfarë ishin duke bërë tjetër, pritëm sa u bënë 10 minuta e pastaj këmbë-këmbë dola unë e para. Bëra të dilja nga dera e jashtme, e cila është nga ato të hekurtat, por ishte e pamundur. Kuptova që ata kishin marrë çelësat dhe nuk kishim nga t‘ia mbanin". Më pas e moshuara tregon se si i kanë rënë portës nga brenda, derisa i ka dëgjuar fqinjët. "Ata njoftuan djalin, që ishte në dyqanin e pllakave, dy pallate më tej. Po edhe ata nuk hynin dot, se hajdutët paskëshin thyer çelësin në portë, që të vonohej sa më shumë marrja vesh. Gjetëm një çelës tjetër, që u hap porta", vijon më tej e ëma e biznesmenit. Ajo e ka të vështirë të identifikojë keqbërësit dhe jep vetëm pak detaje, që ka mundur të memorizojë në ato minuta tmerri që ka përjetuar. "Njëri, ai që na rrinte në kokë, ishte i gjatë, ndërsa ai më i shkurtri, ruante te porta. Them se i pari duhej të ishte mesoburrë në moshë, ndërsa tjetri te të 25-at. Zëra të panjohur, sa nuk dyshoj te njeri i njohur. Por nuk më hiqet nga mendja që ata lëviznin duke pasur një orientim për sallonin, për dhomat", tregon e moshuara. Ndërkohë në shenjë solidariteti, biznesmenë të Sarandës kanë kontaktuar me familjen Shalari, duke dhënë shuma të ndryshme në të holla. Mësohet se tregtarë dhe biznesmenë sarandjotë, që ndihen të pambrojtur përpara krimit, janë duke formuluar një peticion që do t‘i drejtohet Komisariatit të Policisë së Rendit dhe Prokurorisë së Sarandës, si dhe ministrit të Brendshëm e Kryeprokurores Ina Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›