E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët heshtin, banorët shprehin habi

05/05/2011  Masakra e Kozares

KOZARE – Në mesditën e 48 orëve me parë banorët e fshatit Kozare kanë mësuar nëpërmjet lajmeve se një vendim i Gjykatës Kushtetuese kthen për rigjykim ngjarjen e Kozares aq shumë të përfolur në opinionin publik brenda dhe jashtë këtij fshati. Të kontaktuar nga gazeta shumica e banorëve të këtij fshati kanë shprehur habi për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa nuk kanë dashur të komentojnë më këtë ngjarje që sipas tyre u vuri një damkë sa tragjike po dhe aq të dhimbshme për të afërmit e familjes që u shua brenda disa minutave nga një breshëri automatiku. Disa nga banorët që pranuan të flisnin për gazetën thanë se kushdo që e dëgjon shpreh habi jo për vendimin e gjykatës kushtetuese pasi ato vendime janë absolutisht të drejta por që edhe pse kanë kaluar 5 vjet nga kjo ngjarje tragjike ku humbën jetën mes tyre dhe dy fëmijë njëri ende pa parë dritën e diellit, shteti nuk ka mundur të gjejë vrasësin e vërtetë.

Për të gjithë banorët shpresa e vetme është se ajo ngjarje mos të përsëritet kurrë në fshatin tonë pasi na vuri një damkë që kudo që shkonim për ata njerëz që na njihnin na e bënin si me gisht. Drejtësia në këtë rast duhet të bëjë punën e saj, por dhe kjo ngjarje ende 5 vjet pa u zbuluar është e pakuptimtë”, shprehet një nga komshinjtë e familjes Mara. “Gjithsesi bazuar në vendimin e gjykatës Kushtetuese çështja do të rigjykohet nga e para dhe ndoshta do të ketë prova të reja për zbulimin e kësaj tragjedie të pashembullt dhe të pa ndodhur në fshatin tonë”, është shprehur një tjetër banor i këtij fshati. Ngjarja ka ndodhur në 10 shkurt të viti 2006. Në mbrëmje të po kësaj natë është ekzekutuar me armë zjarri një familje me dy fëmijë përkatësisht kryefamiljari Shpëtim Mara bashkëshortja Florie Mara shtatzënë 5 muajshe si dhe djali i tyre Artioli 2 vjeç. Nga hetimet e para u konstatua se autori i vrasjes ishte Luan Mara vëllai i Shpëtimit i cili u arrestua vetëm pas 48 orëve të ndodhjes së vrasjes të një familje të tërë. E ndërsa banorët e fshatit Kozare kanë shprehur habinë e lajmit të fundit për rigjykim, vetë familjarët e autorit të dyshuar për këtë masakër kanë preferuar të heshtin. S. Gorica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›