E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi “Skënderbej”, Olldashi letër Ramës, ftesë për diskutim

Autori i Lajmit: Redaksia

Ministri i Transporteve Sokol Olldashi dërgoi një letër dje në adresë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama në të cilën kërkon bashkëpunimin vetëm një ditë pasi kryeministri Sali Berisha kërkoi takim me kryebashkiakun për gjetjen e një zgjidhje për sheshin “Skënderbej”. Në letrën e dërguar në adresë të kryetarit të Bashkisë, Olldashi mësohet se e fton Edi Ramën në një tryezë diskutimesh së bashku për gjetjen e një zgjidhje për trafikun dhe qarkullimin rrugor ndërkohë që po kryhen punimet në sheshin “Skënderbej”. “Qeveria nuk ka kundërshtime për projektin tuaj, por ne jemi të shqetësuar për situatën e krijuar nga bllokimi i trafikut të automjeteve”, mësohet se është shprehur Olldashi në letrën e tij drejtuar Ramës. Në letër gjithashtu janë parashtruar disa variante të Ministrisë së Transporteve për menaxhimin e trafikut rrugor gjatë ndërtimit të projektit në sheshin “Skënderbej”. Nuk është i qartë qëndrimi që do të mbajë kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama i cili dje pak kohë pas deklaratave të kryeministrit kundër heqjes së monumentit të “Skënderbeut” qetësoi duke thënë se nuk është një projekt një gjë e tillë. Deri pak kohë më parë, Qeveria shqiptare kishte premtuar se nuk do të lejonte kryerjen e punimeve në shesh me projektin e Bashkisë.

Ndërtuesit
Shtypi dhe shoqata e ndërtuesve kanë dhënë alarmin me kohë, duke kërkuar nga qeveria ndërhyrje dhe zhbllokime të arsyeshme e të mundshme. Shoqata e ndërtuesve paraqiti sërish ditët e fundit një paketë propozimesh për daljen nga impasi. Shlyerja e borxheve që qeveria u ka firmave dhe çlirimi i lejeve të ndërtimit ishin sërish në toplistën e kërkesave.

1.2 miliardë euro është kontributi vjetor që zë sektori i ndërtimit në ekonominë shqiptare

2500 shoqëri ndërtimi ushtrojnë aktivitet ekonomik në të gjithë vendin

850 shoqëri ndërtimi kanë arritur të licencohen pas miratimit të kritereve të reja nga qeveria

700 shoqëri ndërtimi kanë bërë 0 lek xhiro, si pasojë e problematikës së krijuar

4 mijë apartamente kanë mbetur pa shitur, sipas Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë

Projekti, ja si do të jetë Sheshi i Tiranës
Qendra e Tiranës është konceptuar si një park, ose si një shmangie e kaosit siç e cilëson arkitekti që paraqiti projektin. Sheshi do të rrethohet nga një panteon bimësie dhe do të jetë i mbrojtur dhe i padukshëm deri në momentin që hedh hapin brenda tij. Asnjë nga ndërtesat ekzistuese nuk do të shembet, monumeti Skënderbeu në kalë, Opera e Baletit, Muzeu Kombëtar, Banka e Shqipërisë dhe Xhamia do të jenë të gjitha aty, por të rifreskuara dhe të kompozuara. Masterplani propozon ta shkëpusë trafikun nga sheshi dhe të krijoje një shesh këmbësoresh me konstruksione të reja. Brezi, pjesa anësore e sheshit është njëherësh një tërheqje në vetvete. Ai përmban kopshte, mjedise të hapura për aktivitete, bare dhe kafe. Skajet e sheshit do të jenë një unaze hapësirash dhe atmosferash të ndryshme. Kjo unazë do të jetë një pjesë natyrale e Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Brezi do të strehojë kryesisht programe publike, disa ekzistuese, të tjera të alternuara, e disa të tjera të reja:
1. Ndërtesa e Operas do të plotësohet me një hyrje në përmasa të mëdha duke mbuluar oborret e jashtme ekzistuese, për të shërbyer për kongrese dhe ngjarje te rëndësishme.
2. Xhamia kornizohet nga një dysheme e re, pak më e ngritur për ti dhënë asaj vetë më shumë hapësire dhe për ta bërë të duket sikur është ulur mbi një qilim madhështor.
2. Ndërtesat e ministrive janë trajtuar në një linjë me kopshtin e fundosur, duke shtuar pemë të mbjella që mbulojnë gjithë hapësirën e kopshtit dhe të rrugës.
3. Teatri i Kukullave e gjen veten në shesh dhe lidhet me një hapësire të re të ndërtuar përpara tij duke ripërdorur pemët ekzistuese.
4. Banka Kombëtare, merr se fundi vëmendjen që meriton, duke shmangur çdo ndërhyrje vetëm duke ndryshuar platformën përpara saj.

5. Qendra Tregtare ngjitur me bankën është ripropozuar. Ndërtesa është e ngritur nga toka për të lejuar një hapësire e cila krijon një hyrje të madhe në shesh, duke kornizuar njëherësh kolonadën e ndërtesës se Operës.
6. Funksionet tregtare plotësohen nga një hapësire ekspozitash për ngjarje kulturore.
7. Hapësira kulturore do të menaxhohet nga qyteti dhe mund të bëhet partner konkurrent i Galerisë Kombëtare të Arteve. Edhe pse teknikisht i përjashtuar nga konkurrimi, ripropozimi i këtij projekti është pjesë integrale e zhvillimit të ri të sheshit.
8. Lidhja e Muzeut Kombëtar me vendin ku qëndron është ndryshuar duke riorganizuar shkallët kryesore. Fasada e tij një-dimensionale do të ndryshohet në një tipografi multidireksionale.
9. Kulla Qytetare do të jetë për shërbime publike të qytetit, ku qytetaret e Tiranës mund të shkojnë për ceremonitë e jetës së tyre, si martesa, ardhja në jetë e një fëmije, etj. Ndërtesa jo vetëm do të përmbajë këto shërbime por do të ketë edhe ballkone publike që shohin sheshin dhe qendrën e qytetit.

Ky lajm është publikuar: 23/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›