E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i vizave Turdiu: “Vendimi për vizat shpallet në Sarajevë”

Autori i Lajmit: Redaksia

Vendimi për liberalizimin e vizave ndaj Shqipërisë do të shpallet në Samitin e Sarajevës, ku zyrtarët më të lartë të Brukselit dhe krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë mbi perspektivën dhe integrimin e rajonit. Kryenegociatori shqiptar për vizat me Bashkimin Evropian, Gazmend Turdiu, sqaron se si kanë ecur procedurat deri tani.
"Ne jemi në fazën tani ku po presim që komisioni, mbi bazën e raporteve të paraqitura nga ana jonë dhe mbi bazën e raporteve të ekspertëve që kanë mbërritur në Shqipëri dhe kanë vlerësuar në vend progresin që ka bërë Shqipëria për plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit, shpresojmë që Komisioni Evropian të formulojë opinionin pozitiv për tia paraqitur për miratim Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Evropian. Ajo që besohet dhe shpresohet të ndodhë në samitin e Sarajevës është që ky opinion të bëhet publik. Samiti i Sarajevës nuk ka të bëjë me marrjen e vendimit për vizat. Shpresojmë që aty të bëhet e ditur zyrtarisht në mënyrë publike që KE ka arritur një konkluzion në raport me dialogun për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën",- tha Gazmend Turdiu, kryengociatori shqiptar.
Basha
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, hodhi poshtë ato që zyra e shtypit i konsideroi “dezinformime të publikuara në disa media të shtypit të shkruar, sipas të cilave Shqipëria rrezikon liberalizimin e vizave për shkak të mospërmbushjes së kritereve”. “Ka një keqpërdorim të disa mediave nga zoti Rama, i cili ka nxjerrë prapë nga sirtari ëndrrën e tij se Shqipëria do të penalizohet. E kundërta është e vërtetë. Presim së shpejti një propozim pozitiv nga Komisioni Evropian që do ti hapë rrugën një vendimmarrjeje pozitive për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë”,- tha ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ai ndërkohë i është referuar edhe deklaratës publike të vetëm pak ditëve më parë të Komisioneres për Punët e Brendshme dhe Drejtësinë, Malstrom dhe eurodeputëve Kukan dhe Fajon, duke thënë se Komisioni Evropian do të ketë një raport pozitiv për Shqipërinë dhe se do të mbahet premtimi për marrjen e vendimit për heqjen e vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës. Sipas Bashës, standardet e vendosura nga Shqipëria, si për sa u përket dokumenteve të identifikimit ashtu edhe në sigurinë e kufijve, janë më të lartat në rajon.
Takimi
Këto qëndrime ministri Basha i paraqiti në një komunikim me median pas takimit me Prokurorin e Antimafias së Leçes, Kataldo Mota. Basha dhe Mota, ndërsa vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm që ka konsistuar edhe në finalizimin me sukses të disa operacioneve të rëndësishme kundër tentativave për trafik nga grupe të krimit të organizuar, shprehën gatishmërinë dhe vendosmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në fazën e re të luftës kundër krimit të organizuar që ka të bëjë me goditjen dhe konfiskimin e aseteve ekonomiko-financiare të krimit të organizuar.

Meta për vizat: “I plotësuam kriteret, mirëpresim çdo kontroll nga BE”

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, njëherësh edhe zv.kryeministër i vendit, ka thënë dje se Brukseli nuk ka asnjë dyshim në lidhje me meritën e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave. Megjithatë, sipas Metës, Shqipëria është e gatshme të presë edhe një herë grupet e ekspertëve të Komisionit Evropian, nëse ata dëshirojnë të verifikojnë përsëri plotësimin e kushteve për heqjen e vizave. Meta tha se Shqipëria është e gatshme për këtë kontroll nëse është e nevojshme. “Ne do të mirëprisnim edhe çdo verifikim plotësues që do të ishte i nevojshëm, por kjo në çdo rast nuk do ta ngadalësonte procesin, përkundrazi do të ecte sipas atij kalendari, i cili është bërë i qartë dhe nga partnerë evropianë”, - tha Meta nga Praga ku ndodhet në një vizitë zyrtare. Ministri i Jashtëm, Meta, shprehu bindjen e qeverisë shqiptare se Shqipëria i ka realizuar të gjitha kërkesat teknike të udhërrëfyesit të KE për heqjen e vizave. “Gjithçka ecën me ritmin e duhur. Natyrisht, BE ka procedurat e veta, por ne jemi të bindur se janë të gjitha mundësitë duke u bazuar në progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë, konfirmime që i mora dhe nga kolegët e mi, Spindelegger në Vjenë dhe Lajçak në Bratislavë dhe besoj se qytetarët shqiptarë do ta kenë mundësinë brenda këtij viti për të shijuar hapësirën shengen të BE, pa kërkuar viza nëpër ambasadat e tyre në Tiranë”,- nënvizoi Meta.

Lajçak: “BE të mbajë premtimin, të heqë vizat për Shqipërinë”

Ministri i Jashtëm i Slovakisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se BE duhet të mbajë premtimin për heqjen e vizave me Shqipërinë sa më parë të jetë e mundur. Pas një takimi me ministrin e Jashtëm dhe zv.kryeministrin shqiptar, Ilir Meta, Lajçak ka thënë se e vlerëson maksimalisht progresin e bërë nga Shqipëria në plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave. Sllovakia mbështet fuqimisht Shqipërinë në përpjekjet e saj, ka shtuar më tej Lajçak. Ai foli edhe për marrëdhëniet mes dy vendeve duke vlerësuar se hapja e ambasadës shqiptare në Bratislavë do të ndihmojë në këtë drejtim. Lajçak ka thënë se duhet të merret në konsideratë dhe të vlerësohete dhe roli i Shqipërisë në rajon. Meta e njohu homologun sllovak me arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, dorëzimin e Pyetësorit nga kryeministri Berisha dhe përmbushjen e standarteve për liberalizimin e vizave. Meta theksoi se Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave si një çështje dinjiteti dhe shprehu besimin se ky vendim do të merret së shpejti nga Bashkimi Evropian.

Ky lajm është publikuar: 23/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›