E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi Skënderbej, Aliaj: Përlasja për interesa ekonomike

Ajo që po ndodh në sheshin Skënderbej është një dështim i madh politik dhe i administratorëve të qytetit. Besnik Aliaj, njëri nga ekspertët e njohur të urbanistikës në vend, e shpreh këtë qëndrim duke shtuar se debati për ndërhyrjen në qendrën e kryeqytetit vjen sot si një debat shumë i vonuar.

“20 vjet për të bërë një plan rregullues për qendrën, qoftë për Tiranën, qoftë për qytetet e tjera të Shqipërisë, është një kohë shumë e madhe. Këto gjëra duhet të ishin mbyllur me kohë. Ky është një dështim i plotë i klasës politike dhe i administratorëve të këtij vendi dhe të këtij qyteti. Nuk ka vend që ne të bëjmë elozhe dhe të paragjykojmë dhe të keqkuptojmë njëri-tjetrin” thotë Aliaj.

Duke refuzuar për shkaqe etike dhe profesionale të komentojë termat teknikë të planit belg, zoti Aliaj nuk e fsheh qëndrimin e tij për të mos ndërprerë vazhdimësinë e bulevardit si edhe për funksionalitetin e projektit. Por thelbin e debatit aktual ai e lidh edhe me interesa të tjera që fshihen pas projektit.

“Mendoj që është nj debat i vonuar. Dikush mund të thotë që nuk është asnjëherë vonë, që mund të ndërhyet, por është një debat shumë i vonuar, aq më tepër në gjithë morinë e ktyre tensioneve. është e vështirë të kuptosh se ku qëndron e vërteta. është e vështirë të kuptosh se kush janë faktorët realisht të interesuar për qytetin dhe kush janë faktorë të tjerë të cilët kanë interesa, ndoshta edhe konflikte mbi këtë debat në raport me interesin publik. Do të thoja se ata që bërtasin më shumë ndoshta janë pikërisht ata që kanë interesa në këtë lloj loje që mendoj unë se po luhet në kurrizin e qytetit” thotë Aliaj.

Projekti i sheshit Skënderbej është një zhvillim i projektit francez për qendrën e Tiranës. Zërat pro e kundër këtyre projekteve në rrethet e ekspertëve nuk kanë munguar që në nisje të tyre, por ata pak janë marrë në konsideratë nga vendimarrja politike.

Adi Darsi Azhornuar së fundi ( e shtunë , 03 prill 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›