E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, gjendet i vdekur aktori 49-vjeçar

Gjirokastër-Ish aktori i trupës profesioniste të Gjirokastrës u gjet dje pa jetë në shtëpinë e tij, ndërkohë që kishte vdekur 15 ditë më parë. Ylli Nocka, 49-vjeçar, u gjet nga fqinjët i vdekur, në shtrat, në banesën e tij në lagjen “18 Shtatori” në qytetin e Gjirokastrës. Komshinjtë e pallatit nr 5 kanë qenë ata që u alarmuan nga mungesa disa ditore e tij në apartament. Si rrjedhojë është bërë lajmërimi i policisë së Gjirokastrës, e cila ka mbërritur në vendngjarje ku dhe ka konstatuar vdekjen natyrale të Nockës duke rrëzuar hipotezën e vrasjes. Mendohet se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore prej të cilës 49-vjeçari vuante prej shumë vitesh. Trupi i pajetë i 49- vjeçarit është gjetur në krevatin e tij të fjetjes dhe mendohet se vdekja ka ndodhur para 15 ditëve. Sipas komshinjve të të ndjerit, ai vitet e fundit kishte shfaqur probleme të theksuara psikike dhe mjaft herë shihej të qëndronte i veçuar nga të tjerët. Ai jetonte krejtësisht i vetëm fill pas vdekjes së të ëmës 12 vjet më parë. Burimet zyrtare bëjnë me dije se ai ishte i punësuar së fundi në Qendrën Kulturore të Gjirokastrës ku merrte një rrogë minimale. Ai gjatë viteve ’80 ka qenë një prej aktorëve më të spikatur të Teatrit të Estradës së Gjirokastrës duke futur për herë të parë zhanrin e imitimit. Ylli Nocka kishte mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë për dramaturgji në mes të viteve ’80 dhe arriti ta ushtronte profesionin vetëm 3 vjet pasi u godit nga një sëmundje psikike. Të vetmit njerëz që ka lënë pas kanë qenë dy vëllezërit të cilët banojnë në Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›