Sheshi Skënderbej, nën gjurmët e serialit Zogu i zi
Në këtë prag pranveror, pushteti qendror dhe ai vendor kanë nisur përsëri nga “lufta e ftohtë”. Edhe këtë herë është e njëjta histori, përfshirje e dyanshme e kompetencave dhe lumë akuzash, deklaratash e sqarimesh teknike. Këtë herë “molla e sherrit” është bërë sheshi “Skënderbej” në qendër të Tiranës. Pas “telenovelës” të stërzgjatur të “Zogut të zi”, qytetarët e Tiranës ndoqën pjesën e parë të serialit të dytë, pak muaj më parë. Bëhej fjalë për truallin pranë Rrugës së Kavajës. Pas “përleshjeve” dhe vendimeve lidhur me pronësinë, dokumentacionin, të drejtat dhe shkeljet ligjore, nisi pjesa e dytë e serialit “Zogu i zi”, lidhur me pallatin pranë qendrës së Tiranës.
Viti 2010 ka gjetur subjektin e radhës për vazhdimin e serialit të tretë të telenovelës me shumë pjesë, “Zogu i zi”...
Ministria e Punëve Publike ka nisur paraditen e djeshme të punojë lidhur me përmirësimin e infrastrukturës në sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës. Specialistë të kësaj ministrie janë mbledhur në qendër dhe kanë kryer matjet e nevojshme për asfaltimin e sheshit. Këto masa janë marrë në mënyrë të menjëhershme, fill pas mbledhje së Këshillit të Ministrave, ku Kryeministri i vendit tërhoqi vëmendjen për gjendjen e dëshpërueshme në të cilën ndodhet sheshi i gjithë shqiptarëve.
“Menjëherë sapo të përfundojë matja, do dalë dhe kostoja e projektit. Së shpejti do të nisë procesi për rehabilitimin e sheshit ‘Skënderbej’”, sqaroi zv/drejtori i përgjithshëm i rrugëve, Skënder çota. Kreu i qeverisë deklaroi se nuk do të presë më që Bashkia e Tiranës ta rehabilitojë sheshin “Skënderbej”, por strukturat shtetërore do të nisin menjëherë nga puna për përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës në këtë zonë.
“Topografë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve kanë nisur marrjen e të dhënave në shesh, që më pas të bëhet projekti për rikonstruksionin. Projekti sigurisht do të shoqërohet me preventivët e punimeve”, deklaroi inxhinierja Aleksandra Mahmutllari. Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, pak ditë më parë shfaqi gatishmërinë për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”.
“Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë projekt për sheshin ‘Skënderbej’, edhe pse qeveria i ka siguruar fondet dy vite më parë”, sqaroi ministri Olldashi. Menjëherë pas nisjes nga puna të specialistëve për marrjen e të dhënave për asfaltim ka reaguar edhe deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi. “Muajt e fundit, qytetarët e Tiranës e kanë parë bashkinë të përgatitë rrugët që do të përballojnë devijimin e trafikut nga sheshi. Kanë dëgjuar Edi Ramën të njoftojë për pak ditë fillimin e punimeve, duke i kërkuar qeverisë që të bëjë shpronësimin te godinat e segmentit pranë INSIG-ut, në mënyrë që trafiku të jetë sa më i rrjedhshëm gjatë punimeve”, deklaroi Shalsi. Sipas tij, qeveria po hedh para të kota në shesh, ndërkohë që punimet për restaurimin e plotë të tij nga ana e Bashkisë së Tiranës pritet të nisin shumë shpejt.
#