E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rindizet konflikti brenda së majtës



Pas një pauze disajavore të konfliktit brenda së majtës, ai është rindezur me të gjitha tonet e ashpra. Partia Socialiste ka marrë në gjirin e saj drejtuesit e LSI-së në rrethin e Lushnjes vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. Siç bëhet e ditur dje, nga burime zyrtare nga dy kampet, nga radhët e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim ka ikur drejt PS-së kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Albert Sanxhaku. Vendimi i tij ka qenë i parapërgatitur dhe i koordinuar me të tjerë drejtues të degës së kësaj partie në këtë rreth. Gjurmët e Sanxhakut i ka ndjekur edhe kryetari i degës së LSI-së në Lushnje, Vladimir Hajdari, si dhe kandidatja për deputete e kësaj partie në Fier, Rudina Jupe. Sulmi i PS-së erdhi vetëm një ditë pasi Ilir Meta vlerësoi qëndrimin e Fatos Nanos kundrejt së majtës dhe PS-së. Ndërkaq pritet që të ketë reagim nga LSI, e cila nuk e ka pritur mirë këtë lëvizje të drejtuesve lokalë të saj, por nga ana tjetër nuk ka pasur një reagim zyrtar nga dega në qendër, duke mos i dhënë nota më të forta konfliktit, por duke e lënë atë vetëm në nivel lokal. Dy politikanët e LSI-së, Sanxhaku dhe Hajdari, e kanë argumentuar me faktin se dega e Lushnjes nuk është përfaqësuar siç duhet tek kjo parti. Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë mes këtyre dy partive të majta. Duke pasur parasysh se LSI u krijua me largimin e socialistëve nga PS-ja, duket se ata e gjejnë veten shpeshherë të dyzuar mes kësaj partie e partisë mëmë. Por duhet thënë se e njëjta gjë ndodh dhe me shumë socialistë të PS-së, që në kohë të ndryshme kanë zgjedhur LSI-në, duke e bërë këtë politikë mes dy partive, të ngjashme me lojën “Tomi dhe Xherri”. Konflikti i majtë u rindez vetëm këto ditë, ndërkohë që ishte shumë i ashpër në fillimet e vitit kur nuk u bë e mundur një marrëveshje parazgjedhore mes tyre. Meta e akuzonte Edi Ramën për bashkëpunim me Berishën, por ai heshti me të filluar fushata, duke lënë të nënkuptuar mundësinë e një marrëveshjeje të heshtur mes tyre. Tashmë fushata zgjedhore duket se nuk do të ketë vetëm një betejë, atë mes së majtës e së djathtës, por dhe një betejë tjetër të fortë mes forcave të së majtës.

Veliaj, kritika Metës

Kryetari i partisë G99, Erion Veliaj, që tashmë është pozicionuar si një nga aleatët kryesorë të PS-së në këto zgjedhje, ka kritikuar ashpër kryetarin e LSI, Ilir Meta, për deklaratat e tij në mbështetje të ish-kryeministrit Nano. Në një konference për shtyp, Veliaj ka theksuar se të vjetrit po tentojnë të pengojnë ndryshimin që do të sjellë për Shqipërinë politika e re. “Kemi një bashkim ish-kryeministrash në një kohë kur Shqipëria po i afrohet ndryshimit. Sot një votë për Metën është një votë për Berishën. Nëse Meta do të bëhet kamerdare për Berishën, turpi i tij”, - tha Veliaj.

Më tej, kreu i G99 ka shtuar se Meta po punon për Berishën ashtu siç ka bërë dhe me bllokimin e buxhetit të Tiranës. “Nuk e di se si do të justifikohet këtë radhë, sepse u krijua një parti private e veçantë vetëm për shkakun e zotit Fatos Nano dhe tani papritur në pragun e lindjes së Shqipërisë së re, në pragun e zgjedhjeve, kemi një bashkim të klubit të kryeministrave dhe ish-kryeministrave, një paketë që kundërshton çdo gjë të re. Koha kur kryeministrat caktoheshin me mish e me raki nëpër tavolina ka marrë fund”, - tha Veliaj, duke shprehur zhgënjimin e tij ndaj Metës. Duke aluduar për një aleancë Berisha–Meta, ai tha më tej se “Meta harxhon më shumë kohë duke sulmuar Partinë Socialiste apo G99 sesa duke luftuar armikun e vërtetë të shqiptarëve. Zoti Berisha po ashtu flet çdo ditë kundër PS dhe G99, po asnjëherë kundër zotit Meta”.

Ministri-PS, pingpong me kartat

Poni i dërgon PS-së listat e kërkuara

PS i quan të pasakta listat e ministrisë

Ecuria e procesit të pajisjes me karta identiteti është kthyer në një pingpong deklaratash dhe letrash mes Partisë Socialiste dhe Ministrisë së Brendshme. Pas letrës së dërguar pardje nga PS në adresë të ministrit Nishani, ku kërkoheshin të dhëna për listat e aplikuesve, zv.ministri Ferdinand Poni ktheu dje përgjigje, duke i vënë në dispozicion të dhënat e fundit. Por listat e ministrisë sërish nuk kanë kënaqur Partinë Socialiste, e cila i ka cilësuar të pasakta dhe ka kërkuar që qeveria të deklarojë dështimin në pajisjen me karta të votuesve pa pasaportë dhe më pas të jepet një opsion zgjidhjeje për këtë kategori. Zv.ministri Poni i shkruan PS-së se “deri në datën 26 maj 2009 kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 1.100.173 shtetas, prej të cilëve 404.956 janë identifikuar se i përkasin grupit të qytetarëve që janë pa pasaportë. Duke pasur parasysh shumën e përgjithshme të 1.100.173 të personave që kanë aplikuar, do të thotë se totali i përgjithshëm i personave pa pasaportë që kanë është rreth 450.000. Gjithsesi, ne besojmë thellë se një numër i konsiderueshëm i atyre që rezulton të mos e kenë një pasaportë udhëtimi, të jenë jashtë Shqipërisë si pasojë e emigracionit të paligjshëm të ndodhur prej më shumë se 15 vitesh. Disa testime provojnë se ky numër luhatet nga 160.000 deri në 260.000”. Por pikërisht për numrin 260 mijë bëhet dhe debati më i fortë. Ndërkohë ministria duke iu referuar dhe korrespondencës me PS-në dhe referimeve të diplomatëve të huaj, thekson se parapritej që të aplikonin nga kjo kategori jo më shumë se 500 mijë të tillë. “Besojmë se në këtë përcaktim kryetari juaj nuk ka nënkuptuar diçka tjetër përveçse mungesës në Shqipëri të rreth 260.000 personave nga ky grup”, - shkruan Poni. Por sekretari i PS-së, Kastriot Islami, e ka cilësuar të paplotë dhe të pasaktë informacionin e mbërritur nga ministria. “Ne kemi kërkuar listën emërore të votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe jo atë të votuesve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar. Dy kërkesat e tjera nuk janë plotësuar fare”, - tha ai. Ai shtoi se “ky insistim i lë vend dyshimit për manipulim me shifrën prej 730 mijë votues pa pasaportë”. Ndërkaq lidhur me numrin 260 mijë të shtetasve pa pasaportë, për të cilët ministria mendon se mund të jenë në emigracion të paligjshëm, Islami tha se “ky është një interpretim i papranueshëm dhe arbitrar. Për më tepër është edhe naiv deri qesharak, sepse koinçidon plotësisht me shifrën e votuesve pa pasaportë që ne kemi parashikuar prej disa javësh (270-300 mijë), të cilën kjo qeveri e ka të pamundur të pajisë me letërnjoftim”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›