E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi "Skënderbej" stop makinave, pas fazës së I të punimeve

TIRANE-Pas mbylljes së fazës së parë të punimeve në sheshin "Skënderbej", mjetet që vinë nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit" nuk do lejohen të kalojnë më në qendër. Sipas drejtorit të transporteve në bashki, Enton Punavija, mjetet që vinë nga bulevardi kryesor për të kaluar në sheshin "Skënderbej" do të devijohen majtas dhe djathtas në bulevardin "Zhan d'Ark" dhe "Bajram Curri".
Sipas tij mjetet nuk do të kalojnë më në aksin midis Bankës së Shqipërisë dhe selisë së PS-së, por do të kalojnë në rrugën pranë parkut "Rinia". Makinat nuk do lejohen më të hynë në shesh, por do kthehen në rrugën "Abdi Toptani", që kalon përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe del te monumenti i "Partizanit të panjohur" si dhe do përdoret rruga pas Pallatit të Kulturës. Përjashtim nga e gjithë kjo skemë lëvizjeje do të bëjnë mjetet e transportit publik, të cilat në aksin veri - jug, do të kenë korridor të lirë, pasi do të mundësohet një rrugë posaçërisht për kalimin e tyre. Sipas drejtorit Punavija, nga Policia e Shtetit do të kërkohet kontrolli i fluksit të trafikut në të gjitha kryqëzimet kryesore, si tek ura e re mbi Lanë, pranë ish-bllokut, ura te rruga e "Elbasanit", apo moslejimi i informalitetit të mjeteve mikrobusë të qyteteve të Elbasanit e Korçës, të cilët kryejnë lëvizje jo të rregullta dhe parkojnë përpara qendrës ETC. "Zhan D'Ark", "Bajram Currin" dhe "Punëtorët e Rilindjes" janë rrugët kryesore që do të përballojnë ngarkesën më të madhe të kësaj lëvizjeje të re në qendër, e cila pritet të nis në fund të janarit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›