Topalli: Sot krenohemi me Nënë Terezën
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli mori pjesë dje në simpoziumin për Nënë Terezën "Eja ji drita ime", që u organizua nga Konferenca Ipeshkëvore e Shqipërisë, me rastin 100-vjetorit të lindjes së gruas së madhe. Në këtë aktivitet, ishin të pranishëm Liri Berisha, e cila udhëheq fondacionin "Nënë Tereza" dhe Presidenti i Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita. Në fjalën e saj, Topalli tha se "E ndjej veten të privilegjuar si grua, si nënë dhe si shqiptare. Si grua, sepse Nënë Tereza ka qenë simboli i gruas, e cila di të jetë e tillë deri në fund. Ndryshe nga shumë modele, që sot duan t'i imponohen përfytyrimit njerëzor. Me vullnetin dhe këmbënguljen e saj, Nënë Tereza diti të jetë një shembull se si njeriu, edhe pse i brishtë e i vogël, është i aftë për gjëra të mëdha dhe përfundimtare. Ajo ishte një grua që me sigurinë e saj, iu imponua e nuk pati frikë as udhëheqës shtetesh e njerëz të fuqishëm, kur ishte fjala për të mbrojtur vlerat e jetës e të familjes". Sipas kryeparlamentares, "Sot ne krenohemi me të. Unë shpresoj që edhe emri i saj të krenohet me ne shqiptarët, që aq shumë kemi vuajtur".