Kushtetuesja, anëtarët pa mandat marrin vendime
Rreth 6 ligje të rëndësishme, si dhe disa udhëzime të Këshillit të Ministrave, do të varen nga vendimi i kësaj trupe gjykuese
Ligji detyron që vendimet duhet të merren vetëm nga ata gjyqtarë që kanë marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes
TIRANË - Gjykata Kushtetuese do të vijojë të mbetet edhe për disa kohë jashtë ndikimit politikë të mazhorancës. Pavarësisht se 2/3-at e gjyqtarëve kushtetues janë në ikje, ata do të jenë përcaktues për të gjitha çështjet ankimore që janë paraqitur pranë kësaj gjykate, dhe për të cilat ka nisur procesi i shqyrtimit në fazat e para.
Nuk janë pak, por rreth 6 ligje të rëndësishme, si dhe disa udhëzime të Këshillit të Ministrave, fati i të cilave varet pikërisht nga kjo trupë gjykuese, e cila i ka marrë ato në shqyrtim dhe ka nisur fazat e hetimit gjyqësor.
Ligji
Ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese" në nenin 20 të tij përcakton midis të tjerave edhe detyrimin që vendimet duhet të merren vetëm nga ata gjyqtarë që kanë marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes.
Çka do të thotë se të gjitha çështjet, për të cilat ka nisur faza e shqyrtimit paraprak dhe në seancë plenare, duhet të përfundohen nga e njëjta trup gjykuese që ka marrë pjesë në këtë seancë.
Kështu, pavarësisht se gjyqtarëve Kujtim Puto, Fehmi Abdiu, Petrit Plloçi, Sokol Sadushi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thana brenda muajit maj u mbaron mandati, ata në bazë të detyrimit ligjor do të jenë me doemos pjesë e trupës gjykuese që do të marrë vendimin për një sërë çështjesh të rëndësishme, siç është rasti i ligjit për pensionet e ushtarakëve dhe policëve, ligji për kthimin dhe kompensimin e pronës, apo edhe Kodi i Procedurës Penale.
Një praktikë e tillë lind si nevojë e mundësisë që kanë këta gjyqtarë për të gjykuar një çështje për të cilën ata janë njohur dhe kanë diskutuar në fazat e mëparshme të shqyrtimit.
Madje, pikërisht për të evituar që çështjet e tjera të mbeten peng i shqyrtimit të gjyqtarëve aktual, ligji përcakton se një gjyqtari kur i mbaron mandati ai nuk lejohet të marrë pjesë më në seancat plenare të shqyrtimit të çështjeve të reja, pavarësisht se ai gëzon të gjitha atributet si edhe kolegët e tjerë për sa kohë nuk është zëvendësuar në këtë detyrë.
Për rrjedhojë nëntëshja e gjyqtarëve aktual, përfshi këtu edhe Kujtim Puton, të cilit i mbaroi mandati para disa ditëve, do të duhet të përfundojë së shqyrtuari dhe të marrë vendim për të gjitha çështjet e hapura.
Çështjet
Lista e çështjeve të cilat presin një vendim nga trupi aktual i gjyqtarëve kushtetues është e gjatë, por ku natyrisht bien në sy një sërë ligjesh tepër të rëndësishme që trajtojnë probleme me interes të gjerë publik.
Në listën e çështjeve që duhet të shqyrtohen dhe të merret vendim nga ky trup gjykues janë edhe katër kërkesat e paraqitura nga institucioni i Avokatit të Popullit. Gjatë vitit 2009-të, ky institucion iu drejtuar Gjykatës me kërkesën për shfuqizimin, si antikushtetues të germës "ç", të pikës 1, të nenit 16, dhe heqjen e fjalës "kryesisht" nga paragrafi i dytë i nenit 18 të ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronës".
Një tjetër kërkesë e Avokatit të Popullit është edhe ajo e shfuqizimit të neneve 3/3; 4/2; 12/1,2,3; 14/1; 22; 27 dhe 29/2 të ligjit nr. 10142, dt. 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë" deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu gjyqtarët aktualë të Gjykatës Kushtetuese duhet të vendosin edhe për kërkesën tjetër të Avokatit të Popullit për shfuqizimi si, antikushtetues të ligjit "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", si dhe të VKM-së nr. 1269, "Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore".
Gjithashtu këta gjyqtarë do të duhet të bëjnë dhe zbardhjen e vendimit për shfuqizimin si antikushtetues të paragrafëve dy dhe tre, të nenit 10, të ligjit "Për Regjistrimin e pasurive të paluajtshme", si dhe të Udhëzimit të Këshillit të Ministrave "Për miratimin e procedurës së fshirjes së regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre, që krijojnë mbivendosje".
Një çështje tjetër që pret vendimmarrjen e gjyqtarëve aktual ka të bëjë me një ankimim të Gjykatës së Lartë, e cila kërkon shprehjen e Gjykatës Kushtetuese mbi pajtueshmërinë e neneve 48/3 dhe 410/2 te Kodit të Procedurës Penale me nenin 43 të Kushtetutës së Shqipërisë".
Bëhet fjalë për një riçelje seance, pasi kërkesa në fjalë është depozituar pranë kësaj gjykate që në vitin 2008, dhe për të cilin trupi gjykues nuk ka mundur të marrë një vendim përfundimtar edhe pse e ka shqyrtuar për një kohë të gjatë.
Gjithashtu kësaj liste i bashkohet edhe një kërkesë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Sindikatës së Pavarur të Minatorëve dhe Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, të cilat kërkojnë shfuqizimi si të papajtueshëm me Kushtetutën i ligjit nr. 10159, datë 15.10.2009 "Për shfuqizimin e ligjit nr. 8340/1, datë 06.05.1998 "Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i Dekretit nr. 204, datë 05.06.1992 "Për pasurinë e sindikatave".
Tabelë
Çështjet në gjykatë
Kërkesa e Gjykatës së Lartë mbi pajtueshmërinë e neneve 48/3 dhe 410/2 të Kodit të Procedurës Penale me nenin 43 të Kushtetutës së Shqipërisë".
Kërkesë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën i ligjit nr. 10159, datë 15.10.2009 "Për shfuqizimin e ligjit nr. 8340/1, datë 06.05.1998 "Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i Dekretit nr. 204, datë 05.06.1992 "Për pasurinë e sindikatave".
Kërkesa e Avokatit të Popullit për shfuqizimin, si antikushtetues të germës "ç", të pikës 1, të nenit 16, dhe heqjen e fjalës "kryesisht" nga paragrafi i dytë i nenit 18 të Ligjit nr. 9235, dt. 29.07.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës".
Kërkesa e Avokatit të Popullit për shfuqizimit të neneve 3/3; 4/2; 12/1,2,3; 14/1; 22; 27 dhe 29/2 të ligjit nr. 10142, dt. 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë".
Kërkesa e Avokatit të Popullit për shfuqizimin si, antikushtetues të Ligjit nr. 9948 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore."
Kërkesa e Avokatit të Popullit për shfuqizimin si antikushtetues të paragrafëve dy dhe tre, të nenit 10, të Ligjit nr. 7843, "Për Regjistrimin e pasurive te paluajtshme".
Shfuqizimin si antikushtetues të Udhëzimit të Këshillit të Ministrave nr. 4, dt. 21. 11. 2007, "Për miratimin e procedurës së fshirjes së regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre, që krijojnë mbivendosje, në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme".
*********************
Shfuqizimin si antikushtetues të neneve 2 dhe 6, të Udhëzimit të Këshillit të Ministrave
Ushtarakët dhe policët do të duhet të presin edhe shtatë ditë të tjera për t'u njohur me vendimin
Pensionet suplementare, Kushtetuesja
vendim javës që vjen
TIRANË - Gjykata Kushtetuese do të japë javën që vjen vendimin për ligjin e Pensioneve Suplementare për ish-ushtarakët, të Avokatit të Popullit dhe policëve në rezervë.
Megjithëse ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i kësaj gjykate, këto kategori do të duhet të presin edhe shtatë ditë të tjera për t'u njohur me vendimin, nëse do t'u japë të drejtë atyre për të shfuqizuar ligjin "Për Pensionet Suplementare" apo do të rrëzojë kërkesën e tyre.
Shoqata e ish-ushtarakëve, e Avokatit të Popullit dhe ajo e policëve në rezervë kanë apeluar ndaj këtij ligji që vitin e kaluar në Gjykatën Kushtuese, duke e cilësuar atë si antikushtetues, pasi, sipas tyre, është shkelur parimi i sigurisë dhe ai i barazisë përpara ligjit. Këto shoqata kanë deklaruar gjithashtu se miratimi këtij ligji
nga Kuvendi ka sjellë si pasojë pakësimin e përfitimeve për pensionet suplementare.
Duke iu referuar Kushtetutës së vendit, theksohet se nëse janë dhënë një herë këto përfitime, ato nuk mund të zvogëlohen pa një proces të rregullt ligjor ose pa u argumentuar se ky cenim bëhet për një interes të ligjshëm. Përveç këtyre argumenteve, përfaqësuesit ligjorë të kategorive të përmendura më lart, e kanë cilësuar se ligji ka kaluar në Parlament vetëm me votat e mazhorancës në mungesë të opozitës në Kuvend dhe pa u diskutuar me grupet e interesit apo me komisionet e nevojshme parlamentare.
Megjithatë, sipas përfaqësuesve ligjorë të shumicës në pushtet, ka pasur realisht një pakësim të përfitimeve për kategoritë e ish- ushtarakëve Avokatit të Popullit dhe policëve, por ajo është bërë me qëllim zmadhimin e numrit të përfituesve. Në këtë mënyrë, këto kategori duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nëse ajo do të vendosë në favor të tyre apo do të rrëzojë kërkesën e tyre.