E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shezlongu, si nudo politike

22-08-2011 / Redaksionale

Është e vështirë të gjesh precedent jo në Shqipëri, por në botë që lideri i Opozitës, i shtrirë në një shezlong të një hoteli privat të shkruajë kinse “Editoriale” për shtyp, si e vetmja mënyrë për të bërë opozitë. Është e vështirë të gjendet një precedent i mëparshëm për faktin e thjeshtë se drejtuesit e opozitave, kudoqofshin ato e shikojnë investimin e tyre publik në politikë si një mision balancues ndaj pushtetit qeverisës, dhe jo si një fresk letrar, që brenda ka vetëm mohime realitetit dhe një mungesë të theksuar sinqeriteti. 
Kur Edi Rama flet për minatorët e Bulqizës kur dolën nga greva e urisë, sikur t’i kishte komshinj që vuajnë për bukën e gojës dhe i mbështet me retorikë – kupton që ky tenton veç të përfitojë kapital politik me një gjoja letër solidariteti për media, dhe jo ndonjë ide sesi mund të zgjidhej problematika. I pafuqishëm për t’i dhënë zë opozitës, ai i kërkon me një letër të hapur kryeministrit Berisha të ndërhyjë në tregun e lirë sepse proletariati është i “skllavëruar” dhe i “tradhtuar” nga kapitalizmi gjakpirës. 
Gjithsesi është e vështirë të gjendet një precedent në Shqipëri, pasi të gjithë drejtuesit e opozitave këto 15 vite kanë qenë në pararojë të zhvillimeve politike dhe publike. Kurse Edi Rama, që synon të jetë kryeministër vetëm pse është lideri i opozitës, kujton se fiton zemrat e qytetarëve duke shkruar letra për mediat.
Megjithatë sjellja atipike e kryesocialistit Rama ka të gjitha elementët e papërgjegjshmërisë opozitare, e cila më në fund ka marrë lejen e zakonshme. Me leje kanë shkuar të gjithë drejtuesit e partiçkave opozitare, dhe shumë deputetë socialistë që po pushojnë, pasi kanë punuar shumë 6 mujorin e parë të këtij viti. Kanë organizuar demonstratën e zezë të 21 janarit, dhe më pas demonstratat e mëpasme funebër. Hynë në fushatën zgjedhjeve lokale me pishman. Deri në momentin e fundit dyzimi kish qenë mbizotërues, ngase Rama jepte sinjale bojkotimi. Përgjatë muajit prill fushata vloi në çdo cep të Shqipërisë, ku u përballën dy vizione, dy aleanca, për të ardhmen dhe për qytetarin. Kjo e fundit, Aleanca për Qytetarin doli fituese me mbi 140 mijë vota në të gjithë Shqipërinë duke konfirmuar kryeministrin Berisha, si një politikan që mat pulsin e shoqërisë shqiptare. Kurse kreu i opozitës, Edi Rama jo vetëm që humbi përballjen plebishitare kombëtare, por humbi me rezultat të ngushtë edhe drejtimin e Bashkisë Tiranë, të cilën për 11 e kish drejtuar me kohë të pjesshme.
Në tërësinë e tyre zgjedhjet lokale i prenë vrullin radikal opozitës, që kuptoi se qytetarët kanë interesa të kundërta me Ramën dhe shokët e tij. Mirëpo pezullimi i përkohshëm i strategjisë radikale dëfteu që Rama, përveç agjendës konfliktuale me qeverinë Berisha, nuk kishte asgjë tjetër, as ide alternative, as program qeverisës dhe kapacitete e tjera të nevojshme për arritjen e kapjes së pushtetit. Dalja zbuluar, me karta të hapura zbythi opozitën nga fronti revolucionar, duke e izoluar ndërkombëtarisht dhe tkurrjen publike. Braktisja e fushëbetejës politike dy muajt e fundit është rezultat i kontingjentit të dobët të resurseve intelektuale dhe financiare. Dhe shpalosja e “kursit të ri” do të jetë një tjetër operacion makijazhi për të fshehur rrudhat e plasaritjet e një ngrehine politike jashtë çdo standardi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›