Gjyqi i Haradinajt, dëshmitari Kabashi rrëzon pretendimet e prokurorëve, akuzon Hagën se po kryen dënime pa prova

S’ka patur burg në Jabllonicë, Serbët kanë ekzekutuar 300 shqiptarë në burgun e Dubravës dhe s’ka asnjë të dënuar
"Me akuza se Tribunali i Hagës s’po vendos drejtësi, por po shkatërron drejtësinë, Shefqet Kabashi, dëshmitari i çështjes ndaj ish kryeministrti të Kosovës Ramush Haradinaj, ka përmbyllur dëshminë e tij sot në gjyqin e zhvilluar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte". Në rigjykimin e pjesshëm që filloi ditën e enjte do të trajtohen akuzat për vrasje, trajtim mizor dhe torturim të të burgosurve në shtabin e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Jabllanicë në Kosovën perëndimore. Në seancën e sotme dëshmoi ish-pjesëtari i UÇK-së, Shefqet Kabashi i cili konsiderohet dëshmitar kyç në rigjykimin e Haradinajt, Balajt dhe Brahimajt. I pyetur nga prokurori i çështjes në lidhje me burgun e Jabllanicës, Kabashi ka deklaruar se nuk ka ekzistuar një burg i tillë por atje ka pasur vetëm kazerma në të cilat rrinin ushtarët. “S’ka pasur persona të burgosur në Jabllanicë. Ka pasur vetëm kazerma ushtarake”- ka deklaruar Kabashi. Ai ka akuzuar ashpër tribunalin e Hagës se s’po bën drejtësi, ndërsa hetuesit sipas tij, kanë bërë gabime trashanike, duke mos qenë në gjendje të ndëshkojnë krimet e serbëve ndaj popullsisë etnike shqiptare në Kosovë dhe Serbi.
“Ju nuk keni bërë asgjë për krimet në Serbi. Nuk kam çfarë të përgjigjem. Nëse doni më çoni në burg. Ju duhet të pranoni gabimet që keni bërë. Plot 200 vetë janë vrarë në burgun e Dubravës dhe 10 vetë janë vrarë në bodrumin e burgut dhe unë kam qënë prezent në ekzekutimin e tyre nga forcat serbe, dhe nuk është bërë asgjë në lidhje me këtë. Kjo nuk është Drejtësi”- iu është drejtuar Kabashi prokurorëve dhe trupit gjykues së Hagës. Prokurori i çështjes ka paraqitur disa vizatime që sipas tij ish-pjesëtari i UÇK-së Shefqet Kabashi ka bërë kur është marrë në pyetje në lidhje me të ashtëquajturin burgu i Jabllanicës, por ai është shprehur se ato tregojnë vetëm për kazermat ushtarake.
Ish pjesëtari i UÇK-së, Shefqet Kabashi, u akuzua për mospërfillje ndaj Gjykatës së Hagës, dhe ndaj tij u mor masa e arrestit pasi nuk pranoi të dëshmonte. Ndërkohë më 21 korrik të vitit të kaluar, Gjykata ndërkombëtare për krime të luftës në ish Jugosllavi, urdhëroi rigjykimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte. Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës, anuloi pjesërisht vendimin e Gjykatës të prillit të vitit 2008 e cila e kishte shpallur të pafajshëm zotin Haradinaj. Gjykata kishte pranuar ankesën e Prokurorisë e cila ka pohuar se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t’i shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të sigurojë paraqitjen e dy dëshmitarëve kryesor të rastit. Nga ana tjetër mbrojtësit ligjorë të zotit Haradinaj, janë shprehur se ai është i pafajshëm dhe se brenda 2 apo 3 muajve procesi do të mbyllet. Ramush Hardinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat për siç thuhet trajtim mizor dhe torturë. Ende nuk dihet se si do të vijojë procesi i radhës për gjykimin e Haradinajt, pas dështimit të dy skenareve të mëparshëm, ku ai doli i pafajshëm nga akuzat që rëndonin mbi të.