Shfajësimi i Mediut, si Berisha: Fajin e ka Shtabi, unë nuk di asgjë
Ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka hequr përgjegjësitë e tij si fajtor për ngjarjen e Gërdecit.
Ai është shprehur se kanë qenë Shtabi i Përgjithshëm dhe Forcat e Armatosura të cilat jo vetëm nuk kanë ndaluar demontimin në Gërdec por kanë firmosur unanimisht se kompania SAC që do të bënte demontimin i përmbushte të gjitha rregullat teknike.
“Inspektorët nuk i kanë paraqitur ministrit asnjë informacion që të vinte në dukje probleme apo parregullsi për demontimin që kryhej në Gërdec” – tha Mediu.
Sipas tij ministri përgjigjet para kuvendit, presidentit dhe kryeministrit, për strategjinë ushtarake, por jo për rregullat e demontimit.
“Shtabi i përgjithshëm përgjigjet për gatishmërinë ushtarake si dhe drejtimin ushtrak dhe joushtarake. Shefi i shtabit është këshilltari më i lartë për Ministrin e Mbrojtjes, Presidentin dhe Kryeministrin. Forcat e armatosura garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e vendit. Shefi i shtabit ka autoritetin për të vepruar nëse cenohet siguria publike” – vazhdoi Mediu.
Sipas Mediut kërkesa e kompanisë MEICO për demontimin e municioneve në Gërdec ka ardhur në datën 27 dhjetor të vitit 2006. Ministri i ka kërkuar strukturave të tij të veprojnë konform ligjit.
“Ditën e nesërme në datën 28 ka dalë kërkesa nga zyra e ministrit për të Shtabi i Përgjithshëm. Shtabi brenda ditës ka arritur të bëjë analizën e plotë të kërkesës së kompanisë gjë që është e pamundur. Kjo do të thotë se Shtabi ka pasur korrespodencë me MEICO-n që prej muajit Korrik deri në Dhjetor”- u shpreh Mediu.
Sipas tij në negociatën e Gërdecit kanë qenë tre struktura Shtabi i Përgjithsëhm, kompania MEICO dhe SAC.
Në 18 janar (3 javë më mbrapa) është bërë prezantimi filmik nga ana e SAC. Këtu ka marrë pjesë drejtori i MEICO, drejtori i logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm dhe Shefi i armatim- municionit në Shtab. Sipas Mediut të gjithë të pranishmit kanë theksuar avantazhet teknologjike të kompanisë SAC. Përveç të tjerave SAC ka pranuar të paguajë Ministrinë e Mbrotjes për demontimin që do të bënte. Ishte hera e parë që ndodhte një gjë e tilla. Sipas Mediut, për demontimin në Gërdec ishin marrë donacion nga SHBA ndërkohë që edhe buxheti i shtetit kishte lëruar një fond. Të gjitha kompanitë e tjera kërkonin para shtesë dhe jo më të paguanin ministrinë për këtë punë që do bënin. Forcat e armatosura kanë përgjegjësi lidhur me licencimin e kompanive të demontimit dhe të gjithë të pranishmit nga Shtabi dhe Forcat e Armatosura se ishin dakord- vazhdoi ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Një pjesë nga fjalimi i gjatë e ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu
Ministri është funksionar politik. Ministria mbështet në aspektin teknik veprimtarinë e montimit dhe demontimit. Por detyrat dhe përgjegjësitë për licencimin e vendit të demontimit, kompanive që do ta bëjnë punën dhe transportin janë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm. Ka dhe elementë të jterë që komandantët kanë detyrë të raportojnë zbatimin e urdhrit. Ushtaraku kur është në fuqi drejtuese nuk mund të mos jetë përgjegjës për atë çka ndodh.
Janë 94 mijë ton municione në të gjithë Shqipërinë në kushte shumë problematike që përbëjnë kërcënim për njerëzit dhe ka patur një plan të Ministrisë së Mbrojtjes për demontimin e tyre.
Ministria e Mbrojtes ka qenë e angazhuar për të bërë demontime edhe në kuadër të përmbushjes së kushteve për tu futur në NATO. Demontimet janë bërë nga kompani private por në përputhje me ligjet në fuqi.Kompanitë janë financuar nga SHBA nga Kanadaja, vende të tjera dhe Britania.
Pse duhet demontuar municioni? Është shumë e nevojshme të bëhet pasi pasi në kushtet aktuale përbën kërcënim serioz për sigurinë kombëtare. Cenimi i lartë i sigurisë publike dhe pamundësia për magazinim kanë krijuar detyrën për demontimin e tyre. Por dihet që demontimi është një proces me rrisk jashtëzakonisht të lartë.
Detyrimet e ministrisë
Në të gjitha ciklet detyrimet që duhet të përmbushë ministria janë ato të futjes në NATO. Politika e demontimit është specifike nga Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha demontimet e mëparshme janë vlerësuar si të suksesshme edhe në Bruksel në mbledhjen e muajit Dhjetor. Një detyrë tjetër e ministrisë është përcaktimi i detyrimeve për shmangien e katastrofave humanitare, të përcaktojë standardet dhe të bëjë licensimin e depove të municioneve komfort standardeve të NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes në çdo takim ndërkombëtar ka kërkuar donacione për shkatërrimin e municioneve. Rreth 50 milionë dollarë janë kërkon nga shteti shqiptar për demontim, ndërkohë që janë bërë edhe sponsorizime të tjera në vlerën e 70 milionë dollarëve, kryesisht nga SHBA.
Sipas ligjit licencimi i depove është detyrë e forcave të armatosura.
Shefi i shtabit ka konfirmuar se gjatë vitit 2007 janë demontuar 12 mije tonë municione të tepërta dhe kjo do të thotë se ata kishin dijeni për demontimin që po bëhej në të gjithë vendin.
Ministri përgjigjet para Kuvendit, Presidentit dhe Kryeministrit, për strategjinë ushtarake, por jo për çështjet teknike. Dua të ritheksoj se ministri është ministër politik dhe as ushtarak apo shofer, dhe ska si të ketë njohuri për rregullat e demontimit.
Shtabi i Përgjithshëm përgjigjet për gatishmërinë ushtarake. Ai është këshilltari më i lartë për Ministrin e Mbrojtjes, Presidentin dhe Kryeministrin, sa i përket sigurisë kombëtare. Forcat e armatosura garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e vendit. Shefi i shtabit të Përgjithshëm ka autoritetin për të vepruar nëse cenohet siguria publike.
Ministri është funksionar politik. Ministria mbështet në aspektin teknik veprimtarinë e strukturave të saj.
Tragjedia e Gërdecit ndodhi për shkak të përqëndrimit të lartë të Barutit. Por është Shtabi i Përgjithshëm ai që ka përgjegjësi për transportin, ruajtjen, zgjedhjen e vendit etj.
SAC ishte kompania që mori konfirmimin unanim të Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes ka bërë një urdhër për ngritjen e një grupi kontrolli dhe në këtë grup nuk ishin të afërt të ministrit por ushtarakë dhe gjeneralë që mund ta bënin këtë detyrë.
Pas ngritjes së grupit të punës u morën mendimet e depos së Policanit dhe dy depove të tjera në Gramsh. Por rezultoi se në Polican kosto e demontimit dilte më e lartë se sa ajo vlerë që ofroi SAC, ndërkohë që dy depot e tjera nuk e merrnin përsipër demontimin.
Është thënë në media se kompania me SAC ka qenë e palogjikshme.
Unë dua të them se për vendosjen e rregullave nuk është përgjegjëse Ministria e Mbrojtjes. Për të përcaktuar kriteret dhe çmimet janë ngritur dy komisionet. Këto komisione janë krejtësisht strukturë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura. Komisionet janë shprehur se gjithçka ishte perfekt dhe sipas rregullave në fuqi.
Është diskutuar dhe çështja e transportit të municioneve dhe shtabi ka kërkuar të bëhej nga kompani private. Por ky nuk ishte një transport cfarëdo por i një rrezikshmërie të lartë.
Dua të them se çdo urdhër i ministrit është iniciuar nga strukturat ushtarake. Ato kanë qenë të përfshira plotësisht në hartimin e urdhrave. Ato kanë patur korrespodencë mes tyre dhe MEICO dhe dieni të plotë për demontimin në Gërdec. Ato kanë dijeni për daljen transportin dhe mjetet e tjera që janë përdorur. Forcat e Armatosura kanë dijeni dhe kanë dekluar se cdo gjë ishte perfekt.
Ministri nuk ka treguar asnjë zell të veçante për vendimet e marra në demontim. Cdo urdhër apo korrespodencë e ka patur vetëm me SAC dhe as me Albdemil dhe as me kontraktorë të huaj apo privatë.
Ministri nuk ka marrë asnjëherë asnjë paralajmërim me shkrim apo me gojë nga asnjë strukturë për ndonjë problem apo moszbatim ligji.
Si për kontratën e parë dhe për të dytën kam vepruar në përputhje me ligjin.
E bëra këtë prezantim për median dhe opinionin për sa kohë të gjitha diskutimet kanë qenë që në fillim publike. E bëra këtë për dinjitetin e familjes time, kolegët e mi, të gjithë atyre njerzv në politikë, dhe që kanë disponimin që ti shkojnë të drejtës deri në fund pa asnjë lloj anashkalimi.
Pyetje nga gazetaret
A keni patur komunikim me Berishën dhe cili ka qenë reagimi i tij?
Përgjigje nga Mediu
Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me kryeministrin lidhur me këtë çështje.
Pyetje:
Ju thatë se depo e Gramshit nuk ju përgjigj kërkesës për demontim pasi nuk mund ta bënte këtë punë, ndërkohë që ne kemi informata se një pjesë e demontimit të Gërdecit është transferuar për tu bërë në Gramsh.
Përgjigja nga Mediu
Procesi i demontimit është një proces i vështirë dhe voluminoz. Gramshi dhe Policani jo vetëm që nuk mjaftojnë por duhen dhe 5 uzina të tjera të bëhet demontimi për të hequr këtë rrezik të madh deri në vitin 2012, ashtu siç e kërkon NATO. I vetmi problem këtu ishte që kompania ofronte të paguante ndërkohë që kompanitë e tjera kërkonin financime nga buxheti. Jam vënë në dijeni për një marrdhënie të kompanisë me Gramshin për dy procese që bëheshin atje. Këto janë shoqëri sh.p.k të cilat marrin vendime në bazë të një bordi por për këtë duhet të vënë në dijeni Ministrinë e Mbrojtjes. Për këtë marrdhënie jam vënë në dijeni nga shtypi para disa ditësh.
Pyetje A keni dijeni nëse armët e Gërdecit vetëm demontoheshin apo dërgoheshin edhe në Afganistan?
Në gjykimin tim po të bëjmë analizë, kompania nuk ka patur sasi të mjaftueshme dhe për demontim dhe për të dërguar në Afganistan. Kontrata me AEY ka ardhur nga Pentagoni dhe me të gjitha certifikatat e mundshme doganore që kanë të bëjnë me eksportin e municioneve. Në gjykimin tim dhe analizës që kam bërë dërgimi i fishekëve në Afganistan ka qenë në përputhje me ligjin, pasi kemi deklaruar moshën e fishekëve dhe kemi vënë në dispozicion çdo dokument tjetër shoqërues.Ne kemi diskutar këtë çështje edhe me ndërkombëtarët dhe kam marrë konfirmimin që ka qenë një marrdhënie e drejtë.
Pyetje Z. Berisha ka thënë në një intervistë për BBC se Ministria e Mbrojtjes është fajtore për ngjarjen e Gërdecit. Ju si e komentoni?
Përgjigje e MediutDeklaratat kanë qenë të të gjitha llojet. Unë di të them këtë që Ministria e Mbrojtjes nuk është vetëm ministri por edhe strukturat përkatëse.Ministria e mbrojtjes ka ushtarë, nënoficerë, majorë gjeneralë, forca të armatosura. Ministri nuk është as gjeneral, as oficer dhe ka njerëz që kanë përgjegjësinë për ti bërë këto punë. Kushdo që flet për ministrinë e mbrojtjes duhet ta dijë që nuk është vetëm Ministri përgjegjës por edhe funksionarët e tjerë.
PyetjeA ka përgjegjësi Presidenti i Republikës pasi në një skemë që ju paraqitët ai ishte ndër të parët që vihej në dijeni për ngjarjet?
Përgjigje e MediutPresidenti nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Ata kanë një informacion rutinor ditor dhe nëse ka një cështje shqetësuese ai merr këshillim nga shefi i shtabit të përgjithshëm.
Unë nuk vendos gishtin mbi asnjë ushtarak dhe unë them vetëm që forcat e armatosura kanë qenë të përfshira në proces.