Shfaqen sërish maskat, plagosin 5 persona në Pukë. Dy prej tyre fëmijë
Pukë- Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në aksin Pukë-Shkodër me pasojë plagosjen e pesë personave.
Persona të maskuar dhe me armë kanë tentuar grabitjen e një automjeti tip ‘Opel Astra’ me targa AA 506 DP në të cilin udhëtonin pesë persona.
Drejtuesi i automjetit, Astrit Kopani nuk i është përgjigjur thirrjes së tyre për të ndaluar dhe më pas drejt automjetit të tij janë derdhur breshëri armësh.
Nga kjo ngjarje kanë mbetur të plagosur drejtuesi i mjetit, Valbona Kopani, 44-vjeçe, Zamira Xhaferaj, 42-vjeçe, Mirela Xhaferaj 33-vjeçe dhe dy fëmijë të vegjël, 9 dhe 5 vjeç.
Katër nga tgë plagosurit, mes tyre edhe dy fëmijët janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit ku sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 04:45 minuta në këtë aks dhe mësohet se pesë personat po udhëtonin nga Puka drejt Shkodrës.
Policia ka nisur hetimet për të identifiukuar dhe kapur më pas autorët e kësaj ngjarje. Kjo është ngjarja e tretë në dy ditë ku maskat dje grabitën një pronar karburantesh në Urën Vajgurore të Beratit dhe në Rrugën e Kombit një familje nga Ulqini që kishte ardhur të pushonte në fundjavë në Kosovë.