Këngëtaret e natës, hetim për vrasjen e menaxherit
Etleva Delia
Menjëherë pas vrasjes së Elton Lulos në Tiranë, 35 persona u shoqëruan në polici nga forcat e rendit për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen ku mbeti i vdekur menaxheri i një prej lokaleve të natës në zonën e ish-bllokut. Burime nga grupi hetimor thanë se atentati pranë rreth-rrotullimit të Tiranës së Re, dyshohet të jetë kryer për prishje pazaresh në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Sipas të njëjtave burime 29-vjeçari Elton Lulo, si menaxher i lokalit, bashkë me shokun e tij Bledar Caca, 27 vjeç, i cili punonte si baterist në të njëjtin pub, kishin punësuar aty si këngëtare katër vajza të reja. Policia po heton edhe në lidhje me këtë veprimtari, duke mos përjashtuar mundësinë që gjatë aktivitetit të lokalit Elton Lulo të ketë pasur ndonjë konflikt me persona të tjerë, në lidhje me këngëtaret që kishte në “patronazh”. Një tjetër pistë jo pak e rëndësishme, është edhe ajo e borxheve që Lulo mund të kishte ndaj personave të tjerë, duke qenë se kishte disa ditë që luante bixhoz, në lokale të ndryshme lojërash fati.
DESHMITE
Personat e shoqëruar në polici për tu marrë në pyetje pas vrasjes së Elton Lulos, kanë dhënë deklarime që i shërbyen hetuesve në ngritjen e dy pistave që bëjnë fjalë për prishje të pazareve të drogës. Megjithatë asnjë nga dëshmitarët nuk ka dhënë shpjegime që mund ti çojnë oficerët e Krimeve Kundër Jetës tek i dyshuari. Personi që pritej të hidhte dritë mbi ngjarjen, Bledar Caca, i cili mbeti i plagosur në kohën kur u ekzekutua 29-vjeçari Lulo, ka deklaruar për policinë se nuk ka arritur të shohë vrasësin. Burime nga policia thanë se Bledar Caca është marrë në pyetje në Spitalin Ushtarak, por ka mohuar që Elton Lulo të ketë pasur konflikt me ndonjë njeri. “Unë nuk e kam parë autorin. Isha me kurriz dhe vetëm kam dëgjuar të shtënat dhe kam ndjerë kur një plumb më kapi dorën. Nuk di asgjë më shumë”. Kjo ka qenë dëshmia që Bledar Caca ka dhënë për oficerët e grupit hetimor, nga Spitali Ushtarak. Në mes 35 personave që janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, në cilësinë e dëshmitarëve dhe personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, pesë ishin familjarë të Elton Lulos. Paraditen e djeshme kanë dëshmuar në Policinë e Tiranës, babai, vëllai i vetëm i Elton Lulos, e fejuara e tij dhe dy vëllezërit e të fejuarës.
Familjarët: Eltoni priste të martohej
TIRANE - Familjarët e Elton Lulos, nuk kanë asnjë ide për personin që qëlloi 29-vjeçarin, ata madje nuk arrijnë t’i japin një shpjegim edhe shkakut të ngjarjes. Sipas tyre, i riu nuk i binte njeriu në qafë që ta meritonte këtë. “Ai shikonte punën e vet, vetëm si e si të punonte, të fitonte para sepse së shpejti do martohej dhe do krijonte familjen e tij”, shprehen familjarët. “Eltoni ishte i madhi dhe para 10 ditësh filloi punë si menaxher i një lokali pranë vendit ku u vra. Mbrëmë erdhi në shtëpi nga ora 21:00, hëngri bukë me nxitim dhe doli për të shkuar në punë”, treguan mes lotësh halla dhe kushërinjtë e Elton Lulos. Më pas ata treguan se 29-vjeçari ka vetëm një vëlla më të vogël dhe babai i tij punon në një furrë buke pranë sheshit “Willson”. Të ardhurat e familjes janë të pakta, ndaj sipas tyre Eltoni përpiqej me çdo kusht që t’i vinte në ndihmë familjes, duke mos qëndruar asnjëherë pa punë. “Mbrëmë e morëm vesh vonë që ai kishte vdekur, vazhdimisht na thoshin që ishte i plagosur në spital”.
Boshatiset lokali ku ndodhi vrasja
Të vetmit persona që ndodheshin dje në lokalin ku u ekzekutua Elton Lulo, ishin kamarieri dhe banakieri. Asnjë klient nuk ka shkelur për të pirë ndonjë kafe gjatë ditës së djeshme në vendin ku ndodhi krimi. Kamarieri i lokalit, i cili nuk preferon të tregojë as tavolinën ku po qëndronte Elton Lulo, para se të qëllohej për vdekje.