E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtarët industrialë më 9 shkurt në godinë të re

05/02/2009  Largohen nga lumi Gjanica

FIER- Pas një odiseje të gjatë debatesh dhe kundërshtimesh në disa vite, përfundimisht Bashkia Fier ka vendosur afate përfundimtare për largimin e tregtarëve nga lumi Gjanica. Më 9 shkurt nis zhvendosja e tregtarëve të tregut industrial buzë lumit Gjanica në tregun e ri privat, në godinën e ish-“Vefës” në lagjen “Apolonia”. Në një konferencë për shtyp drejtuesi i departamentit të Tatim-Taksave në Bashkinë Fier, Fadil Tare, ka bërë të njohur vendimin e Këshillit Bashkiak të Fierit, të nënshkruar edhe me marrëveshjen e lidhur edhe mes tregtarëve, mbi këtë zhvendosje dhe pikave që duhet të përmbahen për këtë qëllim. Sipas Tares, nuk ka vend për kundërshtim nga tregtarët, pasi zbatohet një vendim i Këshillit Bashkiak me miratimin e vet tregtarëve. “Siç dihet në muajin prill të vitit 2008 është bërë një kontratë me një përfaqësi të Këshillit Bashkiak, forcave politike, shoqatës së tregtarëve, pronarët të tregut të ri privat dhe Bashkisë për të kthyer në treg privat ish-ndërtesën e “Vefës”, e cila me vendimin e Këshillit Bashkiak të vitit 2002 është aprovuar si treg privat”,-ka thënë Tare. Me mbarimin e të gjitha punimeve për realizimin e tregut, me urdhër nr. 5 të muajit janar të vitit 2009, është urdhëruar dhe kjo lëvizje. Sipas drejtuesit të departamentit të Tatim-Taksave në Bashkinë Fier, Fadil Tare, në vendim është parashikuar vendosja e 270 tregtarëve në këtë treg, duke plotësuar me vende të gjithë tregtarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›