Bien ndjeshëm të ardhurat në buxhet
Të dhënat e Ministrisë së Financave pasqyrojnë një mosrealizim të ardhurash me rreth 22 miliardë lekë
TIRANË- Buxheti i shteti vazhdon të përkeqësohet nga dita në ditë për shkak të mosrealizimeve në mbledhjen e të ardhurave. Të dhënat më të fundit nga Ministria e Financave pasqyrojnë një mungesë të theksuar fondesh në buxhet.
Megjithëse ishin parashikuar të mblidheshin rreth 290.5 miliardë lekë, të ardhurat për këtë periudhë janë realizuar me vetëm 92 për qind duke shkaktuar një deficit prej 22.3 miliardë lekësh.
Dëmin më të madh si gjithnjë në raste mosrealizimesh e kanë shkaktuar të ardhurat nga tatimet.
Për këtë zë, deri në fund të muajit Nëntor ishte parashikuar që të mblidheshin plot 263.8 miliardë lekë, por në fakt është mundur të realizohet 94.2 për qind e planit duke futur në arkën e shtetit vetëm 248 mld lekë.
Për sa i përket të ardhurave nga doganat realizimi i tyre paraqitet relativisht më mirë në krahasim me ato nga tatimet. Për 11 mujorin e parë ky zë është realizuar në 95.8 për qind të parashikimit.
Të ardhurat nga pushteti vendor kanë treguesit më të këqij të realizuar kohët e fundit. Megjithëse ishte parashikuar të mblidheshin 15.2 miliardë lekë në të vërtetë janë realizuar vetëm 11 miliardë ose 72.2 për qind të planit. Të ardhurat në buxhet kanë shënuar këtë vit ritmin më të ulët të rritjes.
Sipas të dhënave krahasuar me 11 mujorin e vitit të kaluar, totali i të ardhurave në buxhet është rritur me shifrën 2.2 për qind. Nëse do të zhvishet efekti i inflacionit rezulton se të ardhurat reale në buxhet këtë vit janë vetëm 0.1 për qind më të ulëta se viti 2008.
Për sa i përket shpenzimeve ato janë rritur me 17 për qind duke vënë seriozisht qeverinë në vështirësi financiare. Të vetmet zëra për të cilat realizimi paraqitet në mbi 100 për qind janë, të ardhurat nga taksat doganore, taksat nacionale dhe ato nga taksat mbi fitimin.